Muhammed Bilal Kenasari
03 Nëntor 2015•Përditësim: 03 Nëntor 2015
WASHINGTON (AA) - Shtëpia e Bardhë uroi Turqinë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat u mbajtën të dielën në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest gazetarëve në Washington u tha se administrata amerikane uron Turqinë dhe popullin e saj për zgjedhjet e realizuara.
Ai shtoi se qeveria amerikane do të vazhdojë të bashkëpunojë me qeverinë e cila gjatë periudhës së ardhshme do të formohet në Turqi.
Më pas theksoi se është shumë e rëndësishme që autoritetet në vend të respektojnë vlerat demokratike të garantuara me Kushtetutë.
Kujtojmë, se në Turqi gjatë të dielës u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të cilat, sipas rezultateve preliminare pas përfundimit të numrimit të votave, Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK Parti) korri fitore bindëse, duke fituar 49.48 përqind të votave, gjegjësisht 317 vende deputeti në Parlamentin i cili numëron gjithsej 550 deputetë.
Opozita më e fortë Partia Popullore Republikane (CHP) fitoi 25.31 përqind të votave, gjegjësisht 134 deputetë në Parlament.
Partia majtiste prokurde Popullore Demokratike (HDP) fitoi 10.75 përqind të votave dhe do të ketë 59 vende në Parlament.
Edhe Partia opozitare e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) kaloi pragun zgjedhor dhe fitoi 11.9 përqind të votave, që i garantojnë 40 vende përfaqësimi në Parlament.
Ndërkohë që 12 partitë tjera politike nuk kaluan pragun zgjedhor prej 10 përqind.