Eşref Musa,Burak Karacaoğlu
02 Dhjetor 2019•Përditësim: 03 Dhjetor 2019
Të paktën 11 civilë kanë humbur jetën dhe 20 janë plagosur si pasojë e sulmeve të regjimit të Bashar al-Asadit në dy tregje në Idlib, zonën veri-perëndimore të Sirisë që më herët është shpallur zonë e mbrojtur nga aktet e agresionit, raporton Anadolu Agency (AA).
Avionët e regjimit sirian kanë sulmuar rrethet Marratinnuman dhe Serakib në jug të provincës së Idlibit dhe disa fshatra në këtë rajon.
Sipas agjencisë lokale të mbrojtjes civile, e njohur si Helmetat e Bardha, regjimi i Asadit ka bombarduar tregjet në rrethet Marratinnuman dhe Serakib, duke shkaktuar vdekjen e gjithsej 11 civilëve, një në Marratinnuman dhe dhjetë në Serakib, ndërkohë që të paktën 20 të tjerë janë plagosur.
Mbrojtja civile është duke i vazhduar aktivitetet e kërkim-shpëtimit nga rrënojat e shkaktuara nga bombardimet.
Nga ana tjetër, observatori i avionëve i opozitës njoftoi se edhe avionët rusë që nga orët e mëngjesit janë duke ndërmarrë sulme ajrore në fshatrat Kafar Sijna dhe Hiraki në jug të Idlibit.
Ndryshe, Turqia dhe Rusia ranë dakord në shtatorin e vitit të kaluar për ta shpallur Idlibin një zonë të deeskalimit ku shprehimisht aktet e agresionit janë të ndaluara.
Regjimi sirian dhe aleatët e tij, megjithatë, kanë shkelur vazhdimisht marrëveshjen e armëpushimit, duke ndërmarrë sulme të shpeshta brenda zonës.
Që nga fillimi i tetorit, rreth 62 mijë civilë janë zhvendosur si pasojë e sulmeve të ndërmarra nga ushtarët e regjimit, grupet terroriste të mbështetura nga Irani dhe Rusia.
Ndërkaq, mbi 1.300 civilë kanë humbur jetën nga sulmet në Idlib që nga arritja e marrëveshjes midis Turqisë dhe Rusisë.