Ethem Emre Özcan,Ömer Koparan,Ahmet Karaahmet,Mehmet Burak Karacaoğlu,Eşref Musa
06 Dhjetor 2024•Përditësim: 06 Dhjetor 2024
Në zonën Nawa të provincës Daraa në jug të Sirisë po zhvillohen përleshje mes forcave të regjimit të Bashar al-Asadit dhe opozitarëve ushtarakë në rajon, raporton Anadolu.
Sipas informacioneve të siguruara nga burimet lokale, grupet opozitare sulmuan në orët e mëngjesit pikat e kontrollit që i përkasin forcave të regjimit përreth qendrës së zonës Nawa në periferinë perëndimore të Daraa-s.
Derisa luftimet vazhdojnë, regjimi sirian ka vendosur në shënjestër me sulme mortajash qendrën e zonës Nawa. Po ashtu ushtria e regjimit ka sulmuar me artileri edhe fshatin Jabiliyya në periferinë perëndimore.
Grupet opozitare kanë marrë kontrollin mbi pikat e kontrollit të forcave të sigurisë së regjimit në rajonet Al-Jiza, Samlin dhe Ghariyah Sharkiyah në periferinë perëndimore, lindore dhe veriore të provincës Daraa.
- Dhomë e përbashkët operacionesh kundër regjimit
Ushtarët e Divizionit të 8-të të regjimit në Daraa krijuan një dhomë të përbashkët operacionesh me opozitën në provincat Suwayda dhe Quneitra dhe ranë dakord të vepronin kundër regjimit.
- Daraa, provinca ku u ndez fitili i kryengritjes popullore
Daraa ka qenë e dominuar nga opozita në periudhën 2012-2018.
Regjimi i Asadit, i cili u forcua sërish nga grupet terroriste të mbështetura nga Irani dhe ndërhyrja ushtarake e Rusisë, nisi sulme tokësore në rajon në qershor të vitit 2018.
Regjimi i Asadit në korrik të vitit 2018 shpalli marrjen e kontrollit të plotë të provincës Daraa.
- Zhvillimet në Siri
Më 27 nëntor, shpërthyen përleshje midis forcave të regjimit të Asadit dhe grupeve të armatosura kundër regjimit në zonën rurale perëndimore të provincës së Halepit në veri të Sirisë.
Grupet e armatosura kundër regjimit, të cilat morën nën kontroll pjesën më të madhe të qendrës më 30 nëntor, në të njëjtën ditë vendosën dominimin në të gjithë Idlibin.
Pas luftimeve të ashpra grupet më 5 dhjetor morën nga forcat e regjimit qendrën e qytetit Hama.
Grupet kundër regjimit, filluan të avancojnë duke marrë kontrollin e disa vendbanimeve në qytetin e Homsit me rëndësi strategjike në drejtim të kryeqytetit Damask.
Me operacionin "Agimi i Lirisë" që Ushtria Kombëtare Siriane (SNA) nisi kundër organizatës terroriste PKK/YPG më 1 dhjetor në periferi të Halepit, u çlirua qendra e qytezës Tel Rifat.