Adham Kako
03 Janar 2019•Përditësim: 03 Janar 2019
ANKARA (AA) - Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR) njoftoi se 7.706 persona janë privuar në mënyrë arbitrare nga liria, pjesa më e madhe e të cilëve është burgosur nga regjimi i Bashar al-Asadit, transmeton ANadolu Agency (AA).
Nga numri total i të privuarve nga liria në gjithë Sirinë, 504 janë fëmijë dhe 699 gra, njoftoi SNHR në një raport në lidhje me të burgosurit nga palë të ndryshme në këtë vend.
Sipas raportit, 5.607 persona janë burgosur nga regjimi i Asadit, përfshirë 355 fëmijë dhe 596 gra.
Pjesa më e madhe e të burgosurve nga regjimi përbëhen nga persona të cilat janë kthyer nga veriu i Sirisë ose nga jashtë në rajonet e kontrolluara që mbahen nën kontroll nga regjimi dhe të rinj që kanë firmosur "marrëveshje" me regjimin pasi së fundmi ka marrë nën kontroll disa rajone.
Po ashtu, 965 persona janë privuar nga liria pa arsye nga organizata terroriste YPG/PKK, përfshirë 83 fëmijë dhe 74 gra, tha SNHR, sipas të cilës, organizata terroriste në fjalë ka bërë plane për rekrutim me forcë të të rinjve.
Ndërkohë, organizata terroriste DEASH u ka hequr lirinë 338 personave, prej të cilëve 28 fëmijë dhe 13 gra, ndërsa grupet opozitare dhe ato të armatosura kundër regjimit 796 personave, përfshirë 38 fëmijë dhe 16 gra.
Nga ana tjetër, sipas të burimeve opozitare siriane, në burgjet e regjimit gjenden të paktën 500.000 persona.