Ahmet Karaahmet, Mehmet Burak Karacaoğlu
20 Gusht 2021•Përditësim: 20 Gusht 2021
Katër fëmijë humbën jetën dhe 2 civilë u plagosën në sulmet që regjimi i Bashar al-Asadit dhe grupet terroriste me mbështetje iraniane kryen në fshatin Kansafra i cili ndodhet brenda zonës së deeskalimit në Idlib të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Forcat e regjimit të përbërë nga grupet e huaja terroriste me mbështetje iraniane dhe ushtria e regjimit të cilët janë të pozicionuar në fshatin Biskle në jug të Idlibit, vendosën në objektivin e tyre duke goditur me armë tokë-tokë fshatin Kansafra në po të njëjtën zonë.
Sipas informacioneve të marra nga ekipet e Mbrojtjes Civile, si pasojë e sulmit në fshatin Kansafra në rajonin Jabal al-Zawiya humbën jetën 4 fëmijë si dhe u plagosën 2 civilë të cilët u dërguan në spitalet përreth.
Situata në Idlib
Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana u shpallën "4 zona të deeskalimit", përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij (Latakia, Hama dhe Halep), pjesën veriore të qytetit Homs, Gutën Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.

Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë, morën nën kontroll 3 zonat e tjera të mbetura nga 4 rajonet dhe u drejtuan drejt Idlibit. Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin.
Forcat e regjimit dhe Rusisë në maj 2019 filluan operacionet për të marrë nën kontroll të gjithë rajonin dhe morën nën kontroll shumë vendbanime të mëdha brenda rajonit të deeskalimit në Idlib.
Së fundmi, Turqia dhe Rusia siguruan një marrëveshje të re më 5 mars 2020 në kryeqytetin rus, Moskë.
Armëpushimi i shkelur herë pas here nga ana e forcave të regjimit, respektohet në masë të madhe. Në periudhën 2017-2020, rreth 2 milionë civilë u detyruan të migrojnë në afërsi të kufirit me Turqinë për shkak të sulmeve të Rusisë dhe forcave të regjimit.