Eşref Musa,Mehmet Burak Karacaoğlu,Ahmad Wais
18 Maj 2020•Përditësim: 19 Maj 2020
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 6 mars në zonën siriane të Idlibit, 271.356 civilë janë kthyer në shtëpitë e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Muhammed Hallaj, drejtor i Grupit të Koordinimit dhe Reagimit në Siri i cili merret me migrimet e civilëve në Idlib, tha se me ndërprerjen e operacioneve ushtarake nga regjimi i Assadit dhe përkrahësve të tij dhe me sigurimin e armëpushimit, po vazhdon kthimi i civilëve të cilët më parë u detyruan të migrojnë.
Pas zbatimit së armëpushimit, në dy maj e gjysmë afërsisht 54.271 familje, gjithsej 271.356 civilë janë kthyer në shtëpitë e tyre në zonën e Idlibit dhe vendbanimet në pjesën rurale të Alepos.
Shumë civilë që janë kthyer në shtëpitë e tyre ende kanë nevojë për ndihmë nga organizatat joqeveritare.
Në të njëjtën kohë, civilët që janë rikthyer në vendet e tyre, duhet të jenë të vetëdijshëm për mbetjet nga bombat e vendosura.
Kampet e mbipopulluara dhe tendat e ngjeshura, të cilat janë vendet e mundshme për përhapjen e llojit të ri të koronavirusit (COVID-19), kanë inkurajuar civilët të shfrytëzojnë armëpushimin për t'u kthyer në shtëpitë e tyre, ku ata do të jenë në një mjedis të sigurt.
Nga ana tjetër, civilët, shtëpitë e të cilëve janë nën kontrollin e forcave të regjimit të Assadit dhe grupeve terroriste të mbështetura nga Irani, pavarësisht të gjitha vështirësive, vazhduan të jetojnë në kampet në afërsi të kufirit mes Sirisë dhe Turqisë.
Pritet që nëse vazhdon armëpushimi, një numër më i madh i civilëve të kthehen në shtëpitë e tyre.
- Gjendja në zonën e deeskalimit në Idlib
Në takimin e mbajtur në Astana më 4-5 maj 2017, Turqia, Rusia dhe Irani u pajtuan për katër zona të deeskalimit në Idlib dhe provincat fqinje (Latakia, Hama dhe Aleppo), por regjimi dhe grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani, me mbështetje ajrore ruse, morën nën kontroll tre prej këtyre zonave të deeskalimit, me përjashtim të Idlibit.
Qindra mijëra civilë që ikën nga sulmet kanë emigruar në vendet afër kufirit turk. Gjithashtu, sulmet vazhduan për një kohë të caktuar edhe pas Marrëveshjes së Soçit, e arritur më 17 Shtator 2018 nga Rusia dhe Turqia. Pas një armëpushimi të shkurtër, në maj të vitit 2019, forcat e regjimit filluan operacione tokësore për të pushtuar të gjithë territorin.
Në këto operacione të regjimi dhe përkrahësve të tij, u pushtuan zona të konsiderueshme rreth Idlibit, zona në veri dhe lindje të Hamas, si dhe zonat rurale në jug dhe perëndim të Aleppos. Që prej nënshkrimit të marrëveshjes midis Rusisë dhe Turqisë në 17 Shtator 2018, mbi 1.800 civilë janë vrarë dhe afro 2 milionë janë zhvendosur nga sulmet e regjimit dhe Rusisë në zonën e deeskalimit në Idlib.
Ministria e Mbrojtjes e Turqisë njoftoi më 10 janar se Turqia dhe Rusia kishin rënë dakord për një armëpushim që do të fillonte më 12 Janar 2020, por regjimi i Asadit dhe aleatët e tij vazhduan sulmet në Idlib, duke e injoruar armëpushimin. Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidenti rus Vladimir Putin siguruan një marrëveshje të re më 5 mars. Marrëveshja e fundit e armëpushimit hyri në fuqi më 6 mars 2020
Edhe përkundër shkeljeve të kohëpaskohshme nga ana e forcave të regjimit, armëpushimi respektohet në masë të madhe.