Adham Kako
09 Tetor 2017•Përditësim: 09 Tetor 2017
ANKARA (AA) - Rrejti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) ka njoftuar se regjimi i Bashar Asadit ka kryer 18 masakra në muajin shtator, gjatë të cilave jetën e kanë humbur të paktën 177 persona, prej të cilëve 53 fëmijë dhe 37 gra, raporton Anadolu Agency (AA).
SNHR ka publikuar raportin për muajin shtator lidhur me ngjarjet në Siri të cilat i ka cilësuar si "masakra".
Sipas raportit, nga muaji janar deri në muajin shtator të këtij viti në Siri janë kryer të paktën "286 masakra" nga ana e regjimit, Rusia, koalicioni ndërkombëtar kundër organizatës terroriste DEASH, organizata terroriste PKK/PYD dhe DEASH.
Në të paktën 43 masakra të kryera nga palët e lartpërmendura në muajin shtator, jetën e kanë humbur të paktën 430 persona, prej të cilëve 139 kanë qenë fëmijë dhe 85 gra.
Në raport thuhet se regjimi është radhitur në vendin e parë me 18 masakra të kryera muajin e kaluar, ndërkohë që Rusia ka kryer 14, forcat e koaliciont dhjetë dhe DEASH një masakër.
Sipas të dhënave, të paktën 177 persona, prej të cilëve 53 fëmijë dhe 37 gra, kanë humbur jetën si pasojë e masakrave të regjimit në muajin shtator, kurse 152 persona, prej të cilëve 46 fëmijë dhe 29 gra, kanë qenë viktima të masakrave të rusëve në periudhën e njëjtë.
Ndërkaq, 96 persona, prej të cilëve 37 fëmijë dhe 18 gra, kanë humbur jetën si pasojë e masakrave të organizatës terroriste DEASH muajin e kaluar. Së fundmi, të paktën pesë civilë, në mesin e të cilëve tre fëmijë, humbën jetën si rezultat i masakrës së DEASH-it në Raka.
Në raportin e SNHR-së kërkohet gjykim për shkelësit e të drejtave të njeriut, ndërsa po ashtu bëhet thirrje që milicët e mbështetur nga Irani që ofrojnë mbështetje për regjimin të futen në listën ndërkombëtare të terrorizmit.