Mohamad Misto,Levent Tok
02 Maj 2018•Përditësim: 02 Maj 2018
HOMS/ANKARA (AA) - Grupet opozitare ushtarake dhe regjimi i Bashar Al Asadit në Homsin Verior të Sirisë, që gjendet nën rrethimin e këtij të fundit dhe është në kuadër të zonave të deeskalimit, nuk arritën marrëveshje për përfundimin e rrethimit në rajon, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga gazetari i AA-së në rajon, dje regjimi dhe opozitarët, zhvilluan bisedime me ndërmjetësimin e Rusisë për përfundimin e rrethimit të Homsit Verior.
Por nuk u përmbushën kërkesat e grupeve opozitare ushtarake si, mos lejimi i hyrjes së elementeve ushtarake të regjimit në rajon, të lejohet dalja e atyre që dëshirojnë të dalin nga rajoni dhe qëndrimi i atyre që dëshirojnë të qëndrojnë në rajon, regjimi t'i japë sërish ujë rajonit, si dhe armëpushimi të vazhdojë nën vëzhgimin e Turqisë dhe Rusisë.
Ndërsa Rusia kishte imponuar kushtet që ishte zbatuar edhe në Gutën Lindore, evakuimi i detyruar dhe opozitarët ushtarak t'i dorëzojnë armët e tyre.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, dje zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Sergey Lavrov. Por marrëveshja nuk u arrit për shkak se Rusia nuk ndryshoi qëndrimin e saj dhe grupet opozitare nuk pranuan pjesën e madhe të kushteve.
Korpusi i Katërt që është aleanca e grupeve nën ombrellën e Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS) në rajon, njoftoi se nuk do të dalin nga Homsi Verior dhe se "janë duke u përgatitur për përleshje."
Ndërkohë civilët në rajon, protestuan për kushtet e marrëveshjes që Rusia dëshironte të imponojë. Rusia njoftoi se grupeve opozitare ushtarake i ka dhënë kohë deri në ora 12.00 me kohën lokale.
Gjendja në zonën e deeskalimit të Homsit
Territori prej 592 km katrorë nën kontrollin e opozitarëve në veri të Homsit, ndodhet nën rrethim që prej 5 vitesh, ndërsa në rajon jetojnë rreth 200-250 mijë persona.
Pjesa veriore e Homsit në maj të vitit 2017 u përfshi në mesin e zonave të deeskalimit në kuadër të marrëveshjes në Astana mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit.
Rusia më 4 tetor 2017 kishte njoftuar për arritjen e një armëpushimi mes regjimit dhe opozitarëve në zonën e deeskalimit, i cili përfshin edhe pjesën veriore të Homsit.
Por regjimi pasi kishte marrë nën kontroll Gutën Lindore në Damask në muajin e kaluar pas një rrethimi dhe sulmeve intensive, më 14 prill ishte drejtuar në Homsin Verior.