Elena Teslova
25 Qershor 2021•Përditësim: 25 Qershor 2021
Pavarësisht masave shtesë të njoftuara nga autoritetet ruse, numri i rasteve të koronavirusit të ri (COVID-19) në Rusi vazhdon të rritet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Task-forca e emergjencës së koronavirusit raportoi 20.393 raste të reja të virusit, duke e çuar mbi 5,4 milionë numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara me këtë virus.
Aktualisht në trajtim janë 347.385 persona të prekur nga COVID-19.
Numri i viktimave ditore po ashtu vazhdon të rritet dhe sipas raportit, së fundmi u regjistruan 601 viktima të reja, numri më i lartë që nga 21 janari. Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga COVID-19 ka arritur në 132.064.
Gjatë ditës së fundit, numri i të shëruarve u rrit për 14.024, duke arritur në afër 4,9 milionë.
Situata më e rëndë me pandeminë është në kryeqytetin Moskë, në fqinjin e saj më të afërt, Rrethi i Moskës, si dhe në Shën Petersburg. Të tre rajonet përbëjnë më shumë se gjysmën e infeksioneve të reja të regjistruara në mbarë vendin.
Javën e kaluar, zyrtarë në disa rajone ruse, përfshirë Moskën dhe Rrethin e Moskës, urdhëruan vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve të sektorit të shërbimit, duke paraqitur dënime për mosrespektimin e detyrimit.
Pavarësisht se rusët kanë në dispozicion numër të madh të vaksinave të koronavirusit, niveli i vaksinimit në vend mbetet i ulët dhe deri më tani vetëm 10,66 për qind e popullsisë kanë marrë dozën kundër virusit.
Autoritetet përpiqen të mbështesin fushatën e vaksinimit përmes reklamave më të gjera shoqërore dhe përmes punës edukative.
Këtë javë në Moskë u njoftuan masa shtesë, përfshirë kufizime për të vizituar restorantet, vendet e argëtimit dhe ato sportive.
Që nga dhjetori i vitit 2019, sipas të dhënave të Universitetit amerikan Johns Hopkins, në mbarë botën nga pandemia COVID-19 jetën e kanë humbur të paktën 3,9 milionë persona.
SHBA, India dhe Brazili mbeten vendet më të prekura nga pandemia.