Dejan Maksimoviç
20 Tetor 2015•Përditësim: 20 Tetor 2015
Athinë (AA) – Sipas të dhënave të dy organizatave ndërkombëtare më shumë se 500.000 refugjatë gjatë këtij viti kanë hyrë në Greqi, raporton Anadolu Agency (AA).
Vetëm gjatë javës së kaluar në këtë vend të Bashkimit Evropian kanë arritur 27.000 refugjatë, njoftohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM). Sipas të dhënave të tyre të cilat u bënë publike të marten, gjatë këtij viti 507.000 njerëz kanë hyrë në Greqi, ndërsa së paku 291 prej tyre kanë humbur jetën në tentimin për të arritur në ishujt grek në Detin Mesdhe.
Melissa Fleming, nga Agjencia për refugjatë të OKB-së (UNHCR) tha se vlerësimet e saj flasin se në Greqi gjatë vitit 2015 kanë ardhur 502.000 refugjatë. Po ashtu ajo theksoi se në UNHCR janë shumë të shqetësuar për shkak të motit të përkeqësuar dhe afrimit të dimrit, si dhe nga fakti se shumë vende evropiane paralajmërojnë mbylljen e kufijve të tyre.
Shumica e njerëzve që vijnë në Greqi, e pastaj dëshirojnë të vazhdojnë rrugën drejt Evropës Perëndimore, janë nga Siria, ndërsa të tjerët janë nga Iraku dhe Afganistani.