Beyza Binnur Dönmez
02 Qershor 2022•Përditësim: 02 Qershor 2022
Sllovakia do t'i dorëzojë Ukrainës 8 obusë vetëlëvizës "Zuzana 2" në bazë të një kontrate tregtare me një prodhues të kontrolluar nga shteti, njoftoi sot Ministria sllovake e Mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria njoftoi se "Konstrukta Defense" dhe Ukraina nënshkruan marrëveshjen të mërkurën.
"Marrëveshja u arrit pas disa javësh negociata intensive. Situata në Ukrainë kërkon vëmendjen tonë të plotë, ekspertizën dhe interesin e sinqertë", tha ministri sllovak i Mbrojtjes, Jaroslav Nad.
Obusët "Zuzana 2" përdorin granata të kalibrit 155 mm dhe kanë rreze veprimi prej 40-50 kilometra, në varësi të llojit të municionit.
Njoftimi erdhi pas një takimi midis Presidentes sllovake Zuzana Chaputova dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Kiev. Ajo në rrjetin social në Twitter ka bërë të ditur se është e nderuar që është në Kiev me presidentin e Ukrainës, duke shtuar se populli i Ukrainës po paguan një çmim të lartë për lirinë.
Sllovakia është një nga tre anëtarët e Bashkimit Evropian së bashku me Hungarinë dhe Çekinë, të cilat janë të përjashtuara nga ndalimi i fundit i BE-së për importet e naftës ruse deri në fund të vitit 2022.