Bekim Laci
19 Dhjetor 2018•Përditësim: 20 Dhjetor 2018
SHKUP (AA) - Manchester United publikoi sot emërimin e Ole Gunnar Solskjær për trajner të përkohshëm të klubit, pas shkarkimit të Mourinhos të martën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Klubi nga Premierliga angleze tha se Solskjær do të marrë drejtimin e ekipit të parë, me një vendim i cili hyn në fuqi menjëherë, ndërsa në klub do të mbetet deri në kohën kur do të përfundojë procesi i angazhimit të një trajneri të përhershëm, thuhet në njoftimin e Manchester United.
Solskjær do të bashkohet me Mike Phelan si trajner i ekipit të parë, duke punuar së bashku me Michael Carrick dhe Kieran McKenna, thuhet më tej.
"Manchester United është në zemrën time, dhe është një gjë e shkëlqyer që jam kthyer në këtë rol. Pres me padurim të punoj me ekipin shumë të talentuar që kemi, me stafin dhe me të gjithë në klub”, tha Solskjær pas emërimit.
Ed Woodward, zëvendëspresident ekzekutiv i klubit, tha se Solskjær është një legjendë e klubit me një përvojë të madhe si në fushën e lojës ashtu edhe në rolin e trajnerit.
“Historia e tij në Manchester United do të thotë se ai jeton me kulturën këtu, për çka të gjithë në klub janë të lumtur për rikthimin e atij dhe të Mike Phelanit”, tha ai, me bindje se emrat e ri do të bashkojnë lojtarët.
Duelin e parë Solskjaer do ta ketë kundër Cardiff City të shtunën.