Şenhan Bolelli
04 Nëntor 2016•Përditësim: 05 Nëntor 2016
MADRID (AA) – Arrestohet kryetarja e komunës së qytezës Berga nën administratën autonome të Katalonias në lindje të Spanjës, Montse Venturos, për shkak të iniciativave separatiste dhe mospërgjigjes ndaj ftesave për t’u paraqitur në gjykatë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, njoftohet se mëngjesin e sotëm policia ka arrestuar në shtëpinë e saj kryetaren e komunës së qytezës Berga e cila ka popullsi prej 16 mijë banorësh. Siç mësohet, zyrtarja lokale nga partia Kandidatura Popullore e Unitetit me pikëpamje të majta radikale e cila ka kryesuar në iniciativat separatiste, ishte hetuar vitin e kaluar për shkak të vendosjes së flamurit separatist të Katalonias në ndërtesën e komunës gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar më 20 dhjetor dhe zgjedhjeve lokale më 27 shtator në Katalonia.
Burimet policore kanë bërë të ditur se Venturos, e cila deri më tani nuk u është përgjigjur ftesave të gjykatës dhe ka refuzuar të dalë para gjykatësit, është arrestuar për të dhënë deklaratë dhe do të nxirret para gjykatës.
Ndërkohë, partia CUP ka bërë thirrje për protestë para ndërtesës së gjykatës në Berga për ta kundërshtuar arrestimin dhe nxjerrjen në gjykatë të Venturos. Venturos ishte ftuar dy herë që të paraqitet në gjykatë në kuadër të hetimit ndaj saj. Ndërkaq, në deklaratën me shkrim në faqen e internetit të komunës ishte thënë se “Do të vazhdoj të mos bindem dhe nuk do të shkoj në gjykatë. Unë do të jap llogari vetëm para popullit.”