Uğur Çil
19 Janar 2017•Përditësim: 20 Janar 2017
ANKARA (AA) - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke theksuar se është i sigurtë që SHBA-ja do të qëndrojë prapa garancive të sigurisë ndaj NATO-s tha se "Me Trump kam kryer një bisedë telefonike. Mua më tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta ndjejë veten përgjegjëse kundrejt NATO-s", raporton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për gazetën gjermane "Die Welt", Stoltenberg, ka bërë për herë të parë një deklaratë pas kritikave që presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donad Trump, ka bërë kundrejt NATO-s. Ai tha se është i lumtur që do të punojë me presidentin Trump.
Ndërsa ndaj kritikave që Trump ka drejtuar për NATO-n në çështjen e luftës kundër terrorizmit, Stoltenberg është përgjigjur se "NATO është e përfshirë tashmë në çështjen e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ne diskutojmë se si mund të rrisim kontributet e NATO-së në këtë fushë".
"Institucione të forta, të tilla si NATO janë të nevojshme sidomos në një kohë kur fusha e sigurisë ka ndryshuar dhe paqëndrueshmëria është përhapur. Aleanca e NATO-s ndryshon vazhdimisht dhe NATO ka aftësinë ti përshtatet ndryshimeve. Bota ndryshon edhe ne ndryshojmë njëlloj ashtu siç kemi vepruar për 70 vite", është shprehur Stoltenberg.
"Sulmet kibernetike mbështeten nga disa shtete”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, ka folur edhe në lidhje me sulmet kibernetike ndaj vendeve të NATO-s. “Llogaritjet që kemi bërë kanë treguar se vitin e kaluar janë realizuar mesatarisht 500 sulme serioze në muaj ndaj njësive të NATO-s, për të cilat ka pasur nevojë për ndërhyrje të madhe të ekspertëve tanë. Nëse këto të dhëna krahasohen me një vit më parë, do të thotë se kemi rritje për 60 përqind”, ka theksuar Stoltenberg.
Sipas tij, shumica e sulmeve të realizuara nuk janë mbështetur nga individë, por nga institucione zyrtare të disa shteteve.
Ndërkaq, në lidhje me sigurinë kibernetike, Stoltenberg është shprehur: “Jam shumë i shqetësuar nga këto zhvillime. Çështja e sigurisë kibernetike do të luajë rol të rëndësishëm në samitin e ardhshëm të NATO-s. Jemi të detyruar t’i rrisim përpjekjet tona në këtë fushë”.
Stoltenberg ka vënë në dukje se NATO u ofron të gjitha shteteve anëtare ekipe për luftë kundër krizës në gjendje sulmesh, duke vazhduar më tej se sulmet kibernetike janë kërcënim i madh që mund të dëmtojë infrastrukturën e shumë institucioneve kritike, me theks të veçantë institucionet energjetike dhe ato të shërbimeve shëndetësore.
Duke folur për dimensionin ushtarak të sulmeve kibernetike, Stoltenberg ka thënë se “Sulmet kibernetike mund të dëmtojnë kapacitetin mbrojtës të NATO-s dhe të ndikojnë negativisht në ushtrimin e detyrës nga njësitë e armatosura. Aktualisht, të gjitha aktivitetet ushtarake bazohen në transferimin e të dhënave. Nëse nuk sigurohet transferimi i të dhënave, atëherë mund të ndodhin humbje dhe dëme të mëdha”.
Stoltenberg po ashtu ka bërë të ditur se sulmet kibernetike me përmasa të mëdha ndaj një shteti të NATO-s mund të konsiderohen në kuadër të nenit 5 i cili parasheh mobilizimin e të gjitha shteteve anëtare të aleancës në qoftë se sulmohet një shtet i NATO-s.