Zuhal Demirci
09 Qershor 2021•Përditësim: 10 Qershor 2021
Një grup studentësh nga Universiteti i Oxfordit në Britani të Madhe hoqën nga një sallë e përbashkët portretin e Mbretëreshës Elizabeth II të vitit 1952 me arsyetimin se rikujton të kaluarën koloniale të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një grup studentësh nga Kolegji Magdalen, një prej kolegjeve që përbëjnë Universitetin e Oxfordit, votuan për heqjen e portretit të Mbretëreshës Elizabeth II nga salla e përbashkët.
Pas votimit, nga salla u hoq portreti i cili shihej si një "simbol zyrtar kolonial".
Dinah Rose, e cila vitin e kaluar u emërua në krye të Kolegjit Magdalen tha se ky veprim i studentëve nuk përfaqëson qëndrimin e përgjithshëm të kolegjit por se ata mbështesin të drejtat e studentëve për "fjalën e lirë dhe debatin politik".
"Të jesh student është më shumë se të mësosh. Ka të bëjë me zbulimin dhe diskutimin e ideve. Ndonjëherë është e lidhur me provokimin e brezit të vjetër. Sipas asaj që vërehet nuk është dhe aq e vështirë për ta bërë këtë në ditët e sotme", tha Rose.
Ajo tha se portreti "do të ruhet në mënyrë të sigurt".
Janë bërë komente se Mbretëresha është viktima e fundit e kulturës së bojkotimit
Ministri britanik i Arsimit, Gavin Williamson e ka cilësuar "plotësisht absurde" veprimin e studentëve për të hequr portretin e Mbretëreshës.
Përderisa nga pallati Buckingham nuk është bërë ndonjë deklaratë lidhur me çështjen, në lajmet e reflektuara në shtypin e vendit janë bërë komentime se Mbretëresha Elizabeth II është "viktima e fundit e kulturës së bojkotimit".