Ekip
14 Dhjetor 2021•Përditësim: 14 Dhjetor 2021
Sekretari i Shtetit për Çështje Evropiane në qeverinë franceze, Clement Beaune, tha se bisedimet e vështira dhe kërcënimet për kundërmasa kanë rezultuar në disa licenca shtesë për peshkatarët francezë, por theksoi se mosmarrëveshja me Britaninë është larg përfundimit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për televizionin CNews, Beaune tha se Britania kishte miratuar 23 licenca të reja më 11 dhjetor, një ditë pas afatit përfundimtar të caktuar nga Franca për të zgjidhur kontestin e peshkimit.
"Qëndrueshmëria jonë zhbllokoi bisedimet. Ne deri më sot kemi marrë 93 për qind të licencave. Bashkë me peshkatarët, ne do të definojmë kilometrin e fundit të këtyre bisedimeve", tha ai.
Beaune shtoi se qeveria franceze akoma pret "edhe disa" licenca dhe "nuk do të braktisë asnjë nga peshkatarët".
Mosmarrëveshja rreth licencave në Britani dhe në ujërat e Ishujve të Kanalit, pjesë e marrëveshjes tregtare pas Brexit-it, kanë qenë një pikë debati në marrëdhëniet midis Francës dhe Britanisë për pjesën më të madhe të vitit. Parisi zyrtar vazhdimisht është kërcënuar me kundërmasa nëse nuk plotësohen kërkesat e tij, ndërsa Britania ka mbajtur qëndrimin se i ka dhënë licencat për të cilat ka qenë e obliguar.
Përderisa mosmarrëveshja ka të ngjarë të zgjasë, peshkatarët francezë që janë në qendër të mosmarrëveshjes, kanë paralajmëruar bllokim të porteve franceze më 23 dhjetor, ngjashëm me bllokadën e shkurtër që e bënë në muajin nëntor.
Nga komuniteti i peshkatarëve thonë se janë të zhgënjyer me dhënien e vetëm 23 licencave nga rreth 60 sa prisnin, ndërsa mund të ndjekin rrugë tjera ligjore përpos bllokadës, që mund të pengojnë tregtinë gjatë sezonit të pushimeve.