Rahmi Gündüz
06 Qershor 2017•Përditësim: 07 Qershor 2017
PARIS (AA) - Ministri i Brendshëm francez Gerard Collomb, ka deklaruar se përpara kishës Notre Dame është kryer sulm ndaj policisë nga një person i vetëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Collomb tha se sulmi ka shkaktuar plagosjen e një polici ndërsa ka kryer inspektime në vendin e ngjarjes dhe ka marrë informacione nga autoritetet.
Në një deklaratë të shkurtër për media ministri francez tha se sulmuesi ka patur në dorë një çekiç dhe një thikë dhe se ky person ka kryer i vetëm sulmin.
"Personi që ka kryer sulmin kundër policit me çekiç ka shprehur me zë të lartë 'Kjo është për Sirinë'", ka theksuar ministri Collomb.
Më tej Collomb ka vënë në dukje se vazhdon në spital mjekimi i personit të plagosur si pasojë e hapjes së zjarrit nga policia dhe se gjendja shëndetësore e policit të plagosur lehtë është e mirë.
Ndër të tjera Collomb ka konfirmuar lajmet në media se sulmuesi është një student algjerian dhe se në lidhje me këtë person kanë nisur hetimet.
"Lufta kundër terrorizmit është përparësia më e rëndësishme e presidentit Emanuel Macron", tha ministri francez Collomb.
Kisha historike Notre Dame vizitohet afërsisht çdo ditë nga 30 mijë persona.