Mustafa Orhan
19 Gusht 2017•Përditësim: 20 Gusht 2017
HELSINKI (AA) - Policia finlandeze ka njoftuar se sulmi i djeshëm me thikë në Turku po hetohet si vrasje me synime të mundshme terroriste. Sulmuesi qëlloi për vdekje dy njerëz dhe plagosi tetë të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyra Kombëtare e Hetimeve, e cila po kryen hetimet, njoftoi të shtunën se gjatë sulmit janë vrarë dy shtetas finlandezë, ndërkohë që në mesin e të plagosurve janë një italian dhe dy shtetas suedezë.
Shefi i policisë Seppo Kolehmainen ka konfirmuar se është arrestuar sulmuesi i cili me thikë qëlloi disa persona në tregun e qytetit Turku. I dyshuari 18-vjeçar është identifikuar si shtetas maroken, por nuk zbulohet emri dhe mbiemri e tij. Sulmuesi u plagos në këmbë, ku më pas u arrestua.
Ministrja e Brendshme, Paula Risikko, ka deklaruar se pas sulmit masat e sigurisë janë rritur në të gjithë vendin, duke shtuar se shumë më tepër policë do të angazhohen në ditët në vijim.
Ajo theksoi se masa shtesë janë marrë në aeroporte, stacione hekurudhore dhe kufijtë e këtij vendi. Sipas saj është duke u zhvilluar hetim mbi sulmin, duke mos specifikuar motivin e mundshëm të sulmuesit.
Qyteti i Turku ndodhet rreth 160 kilometra në perëndim të kryeqytetit të vendit, Helsinki.