Burak Karacaoğlu,Eşref Musa
16 Janar 2018•Përditësim: 16 Janar 2018
IDLIB (AA) – Të paktën shtatë civilë të vrarë është bilanci i sulmeve më të fundit ajrore në Khan Shaykhun të Idlibit në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori i mbrojtjes civile në Idlib, Mustafa Haj Yusuf, në një prononcim për AA tha se sulmet ajrore kishin në shënjestër fshatin Tibbes në Khan Shaykhun, dhe se janë kryer nga avionët rusë.
Përveç shtatë civilëve të vdekur, gjashtë fëmijë dhe një grua, në sulmet në fjalë janë plagosur nëntë persona tjerë. Haj Yusuf tha se të plagosurit janë transferuar në spital.
Në sulmet të cilat në muajt e fundit janë intensifikuar në Idlib, janë vrarë mbi 100 civilë dhe mbi 210 të tjerë janë plagosur.
Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, ditë më parë paralajmëroi se sulmet në Idlib, mund të sjellin një valë të re refugjatësh që do të rezultojë me vuajtje të reja.
Yıldırım tha se Turqia, Rusia dhe Irani, tre garantuesit e bisedimeve për paqe, kanë marrë përsipër parandalimin e ngjarjeve që sjellin viktima në Siri.