Adham Kako,Mohamad Misto
27 Prill 2017•Përditësim: 27 Prill 2017
IDLIB (AA) - Në sulmet ajrore të ndërmarra në zonat e rajonit Maaret el-Numan në Idlib, që ndodhet në veri të Sirisë kanë humbur jetën 11 civilë, nga të cilët 4 punonjës të shëndetësisë dhe janë plagosur të paktën 18 civilë të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtari i mbrojtjes civile në rajonin Maaret el-Numan të Idlibit, Ubade Zikre në një deklaratë për gazetarin e AA-së ka konfirmuar se një spital privat në zonën Dejr Sharki ka qenë objektiv i avionëve luftarakë.
"Avioni rus ka kryer 4 sulme ajrore ndaj spitalit. Si pasojë e bombardimit spitali ka dalë plotësisht jashtë përdorimit", është shprehur Zikre, duke konfirmuar se në sulm kanë humbur jetën të paktën 3 civilë si dhe janë plagosur 7 ose 8 të tjerë.
Gjithashtu Zikre ka njoftuar ndër të tjera se edhe ndaj një ceremonie mortore në zonën Maar Shurin ka patur një sulm ajror, ku si pasojë kanë humbur jetën 4 persona dhe janë plagosur 10 civilë të tjerë.
Ndërsa Mustafa el-Haxh, një prej zyrtarëve të mbrojtjes civile në Idlib është shprehur se avionët luftarakë kanë vendosur në objektiv pikën ku ndodheshin ambulancat në zonën Maar Zejta, në rajonin Maaret el-Numan në Idlib.
Pasi ka bërë të ditur se zona ndodhet mes rajoneve Maaret el-Numan dhe Han Shejhun, Haxh tha se në sulm kanë humbur jetën 4 punonjës të shëndetësisë.
Ndër të tjera Haxh ka theksuar se ekipet e mbrojtjes civile janë duke vazhduar punimet e kërkim-shpëtimit dhe se numri i personave të plagosur ende nuk është përcaktuar.
Koordinatorët e Kombeve të Bashkuara për Çështjet Humanitare në Siri në një deklaratë ditën e djeshme rikujtuan se në muajin prill në veri të Sirisë janë kryer sulme ajrore ndaj 6 institucioneve shëndetësore. Në deklaratën ku vihet theksi se për shkak të bombardimeve qindra mijëra persona janë privuar nga shërbimet e shëndetësisë ishte bërë thirrje për dhënien fund të sulmeve ajrore.
"Është kategorikisht i papranueshëm bombardimi i institucioneve dhe punonjësve të shëndetësisë të cilët përpiqen të shpëtojnë jetët e njerëzve. Për shkak të sulmeve të vazhdueshme kundër institucioneve shëndetësore qindra punonjës të shëndetësisë kanë humbur jetën dhe qindra mijëra persona janë privuar nga shërbimi shëndetësor. Këtyre duhet t'iu jepet fund sa më parë", thuhet në deklaratë.