Sayed Khodaberdi Sadat
24 Korrik 2017•Përditësim: 25 Korrik 2017
KABUL (AA) - Numri i të vdekurve si pasojë e shpërthimit të një autobombë që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, është rritur në 35, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët bëjnë të ditur se shpërthimi në rajonin Pul-i Sohta ka ndodhur në orën 07:00 sipas kohës lokale në çastin kur po kalonte një furgon që transportonte punonjës të Ministrisë së Minierave.
Si pasojë e sulmit kanë humbur jetën 35 persona, ndërsa janë plagosur të paktën 40 të tjerë. Mësohet se gjendja e disa të plagosurve është e rëndë.
Theksohet, në mesin e të plagosurve gjenden edhe truprojat e zëvendëskryetarit të Këshillit Ekzekutiv të Afganistanit, Haxhi Muhammad Muhakkik, shtëpia e të cilit gjendet në afërsi.
Zabihullah Muxhahit, zëdhënës i talebanëve, të cilët morën përsipër sulmin, pohoi se si rezultat i sulmit kanë vdekur 37 punonjës të inteligjencës.
Gjithashtu theksohet se xhamat e ndërtesave në zonë janë thyer nga fuqia e shpërthimit, kurse tre automjete janë në gjendje të papërdorshme.
Presidenti i Afganistan-it Eshref Gani e dënoi këtë sulm.