Safiye Karabacak
26 Maj 2017•Përditësim: 27 Maj 2017
KAJRO (AA) - Është rritur në 26 numri i të vdekurve si pasojë e sulmit të armatosur ndaj autobusit që po transportonte pjesëtarë të komunitetit koptë në qytetin Minya të Egjiptit, njoftojnë nga Ministria e Brendshme e Egjiptit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Është rritur në 26 numri i të vdekurve si rezultat sulmit të armatosur nga persona ende të paidentifikuar ndaj autobusit që po transportonte koptë në rrugën e shkretëtirës në qytetin Minya", thuhet në një njoftim me shkrim nga Ministria e Brendshme.
Ndërkaq, në njoftim nuk janë dhënë informacione lidhur me gjendjen e të plagosurve.
Sisi thirrje për mbledhje të sigurisë
Nga ana tjetër, presidenti i Egjiptit Abdulfettah es-Sisi ka bërë thirrje për mbledhje emergjente të sigurisë për sulmin në Minya, njoftohet përmes një deklarate nga presidenca e Egjiptit, në të cilën thuhet po ashtu se presidenti po ndjek nga afër incidentin.
Ndryshe, paraprakisht përmes deklaratës së parë lidhur me sulmin e armatosur ndaj autobusit me persona të përkatësisë kopte, u raportua për 23 të vdekur dhe numër të madh të të plagosurve.