İnci Gündağ
22 Qershor 2017•Përditësim: 22 Qershor 2017
LONDRA (AA) - Autoritetet britanike kanë shpalosur identitetin e personit që humbi jetën si pasojë e sulmit terrorist që kishte për shënjestër muslimanët në kryeqytetin britanik Londër, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e policisë së Londrës bëhet e ditur se viktima e sulmit është shtetasi britanik 51 vjeçar me origjinë nga Bangladeshi, Makram Ali.
Theksohet se Ali, baba i gjashtë fëmijëve dhe gjysh i dy nipave, ka ardhur në Britani nga Bangladeshi në moshën dhjetëvjeçare.
Në deklaratën e policisë citohen edhe familja e Makram Ali, e cila e ka përshkruar atë si "njeri të sjellshëm dhe paqësor". Sipas deklaratës, Ali ka qenë njeri që ka qëndruar larg polemikave dhe ka pasur dëshirë të kalojë kohën me familjen e tij.
Në kuadër të hetimeve, policia bëri të ditur se deri me tani janë zhvilluar biseda me afër 30 dëshmitarë okularë dhe janë analizuar 80 kamera të sigurisë.
Ndryshe, të dielën në mbrëmje agresori britanik 48 vjeçar me emrin Darren Osborne përplasi me automjetin që kishte marrë me qira muslimanë të cilit po dilnin nga namazi i teravisë në lagjen Finsbury Park në veri të Londrës. Krahas vdekjes së Makram Ali, dhjetë persona të tjerë ngelën të plagosur.
Teksa familja e agresorit ka theksuar se ai nuk ka qenë racist, policia kishte deklaruar se do të hetohet gjendja e tij mendore.
Megjithatë, gazeta britanike The Times kishte shkruar se një javë më parë agresori kishte sulmuar në baza racore një fëmijë në qytetin Pentwyn në jug të Uellsit.
Edhe dëshmitarët okularë kanë treguar se gjatë sulmit në Finsbury Park Osborne ka bërtitur se "Do t'i vras muslimanët".