Associated Press
04 Qershor 2017•Përditësim: 04 Qershor 2017
LONDËR (AA) - Një tjetër i plagosur në sulmin e mbrëmshëm terrorist në zemër të Londrës, ndërroi jetë sot në mëngjes në spital, me çka numri i të vrarëve në sulmin e mbrëmshëm u rrit në shtatë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sulmi ndodhi mbrëmë vonë kur sulmuesit me furgon goditën këmbësorët në urën e Londrës dhe pas daljes nga furgoni me thika filluan të sulmojnë njerëzit në tregun Borough, ku policia vrau që të tre sulmuesit.
Sipas informacioneve të fundit, në sulm janë vrarë shtatë presona dhe janë plagosur 48 të tjerë.
Policia e përshkroi sulmin si akt terrorist, kurse deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë rast. Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May këtë mëngjes ka thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kabinetit për shkak të ngjarjeve tragjike që ndodhën vetëm dy javë pas sulmit vetëvrasës në Mançester, në të cilin jetën e kanë humbur të paktën 22 persona.
"Mbrëmë ishim dëshmitarë të edhe një tjetër incidenti tragjik në Londër, diçka që shpresojmë se nuk do të përsëritet", deklaroi këtë mëngjes, komesarja e policisë Cressida Dick, e cila u bëri thirrje qytetarëve për qetësi.
Dick tha se policia supozon se nuk ka pjesëmarrës të sulmit që kanë arritur të ikin, porse kanë ndërmarrë hetime të gjera dhe masa të shtuara sigurie në qytet.