Sena Güler
07 Qershor 2021•Përditësim: 08 Qershor 2021
Pas sulmit të saj të fundit ndaj forcave Peshmerge në Irakun e veriut, grupi terrorist YPG/PKK ka treguar edhe një herë se është pengesa më e madhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, tha Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Duke sulmuar në pabesi Peshmerget, grupi terrorist YPG/PKK ka treguar edhe një herë se është pengesa më e madhe përpara paqes dhe stabilitetit në rajon", tha ministria në një njoftim për shtyp një ditë pas sulmit.
Pesë ushtarë kurdë Peshmerge u vranë të shtunën në një pritë të vendosur nga terroristët e PKK-së në rrethin Amadiya të provincës Dohuk, në Irakun verior. Gjithashtu, shtatë ushtarë të tjerë Peshmerge u plagosën.
Ministria tha se sulmi ishte dëshmi e qartë se grupi terrorist nuk ka për qëllim mbrojtjen e popullit kurd dhe se nuk mund të llogaritet si përfaqësuesi i tij.
Më tej u bëhet thirrje vendeve mike dhe aleate të Turqisë të ndalojnë mbështetjen e tyre për grupin terrorist, veçanërisht duke e furnizuar me armë dhe municione.
Duke përsëritur vendosmërinë e Turqisë në luftën e saj kundër terrorizmit, ministria shprehu ngushëllime për ushtarët e vrarë dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.
PKK, e cila është e renditur si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, si bastion të saj ka Malet Kandil në Irakun verior dhe është aktive në shumë qytete dhe qyteza. Ajo mban në pushtim një numër të madh fshatrash në rajon dhe ndërmerr sulme në brendësi të Turqisë.