Fatih Hafız Mehmet
08 Mars 2018•Përditësim: 09 Mars 2018
VIENË (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se terroristët nuk duhet të lejohen të ndihen të sigurt në Evropë, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologen austriake, Karin Kneissl, gjatë një vizite zyrtare në Vienë, Çavuşoğlu tha se vendet evropiane nuk duhet të jenë strehë e sigurt për terroristët.
“Ne mendojmë se organizatat terroriste nuk duhet të ndihen në parajsë në Evropë dhe se terroristët duhet të marrin të njëjtin trajtim kudo”, theksoi Çavuşoğlu.
Çavuşoğlu tha se terroristët e PKK-së mund të mbledhin para në Evropë nëpërmjet grabitjes ose bamirësisë, si dhe kontrabandimit të armëve dhe drogave.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me operacionin “Dega e Ullirit”, Çavuşoğlu tha se sapo të përfundoi operacioni, zona do të gjejë stabilitet dhe civilët do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre.
Më 20 janar, Turqia nisi operacionin “Dega e Ullirit” për të pastruar terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it nga Afrini, rajon i cili ndodhet në veriperëndim të Sirisë.
Fushata prej më shumë se tre dekada e PKK-së, grup i emëruar si terrorist nga SHBA-të dhe BE-ja, ka lënë të vrarë rreth 40 mijë persona, duke përfshirë gratë dhe fëmijët në Turqi.
Ankara ka kritikuar në mënyrë të përsëritur vendet evropiane për mos marrjen e masave të mjaftueshme kundër këtij grupi terrorist. Turqia poashtu ka dënuar ashpër trafikun e drogës së PKK-së në Evropë dhe ka nxitur vazhdimisht veprime kundër saj.
Kneissl, nga ana e saj, shprehu mirënjohje ndaj ministrit turk për heqjen e vetos nga ana e Turqisë për akreditimin e civilëve në postet e NATO-s, të cilat siç tha ajo, lehtësuan akreditimin e përfaqësuesit austriak të NATO-s në Bruksel.