Aşkın Kıyağan,Hasan Tosun
25 Nëntor 2016•Përditësim: 26 Nëntor 2016
VJENË (AA) – Arrihet marrëveshje bashkëpunimi mes Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Organizatës për Zhvillim Industrial të OKB-së (UNIDO), raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i TIKA-s Serdar Çam është takuar me drejtorin e përgjithshëm të UNIDO-s Li Yong në Zyrën e OKB-së në Vjenë.
Në takimin mes delegacioneve morën pjesë edhe ambasadorja permanente e Turqisë në Zyrën e OKB-së në Vjenë Emine Birnur Fertekligil dhe përfaqësuesi i UNIDO-s në Turqi Süleyman Yılmaz. Çam dhe Yong nënshkruan marrëveshje që ripërtërin memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar mes TIKA-s dhe UNIDO-s më 16 qershor të vitit 2008.
Sipas marrëveshjes, TIKA dhe UNIDO do të zhvillojnë projekte të përbashkëta në shtetet ku kanë bashkëpunim, edhe atë në fushën e bujqësisë, zhvillimit industrial, sigurisë ushqimore, zhvillimit të bizneseve, produktivitetit të energjisë, mbrojtjes së mjedisit dhe përhapjes së investimeve teknologjike.
Rekomandimet për projekte do të realizohen me vendimet e përbashkëta të drejtorit të përgjithshëm të UNIDO-s dhe kryetarit të TIKA-s. TIKA do të emërojë një ekspert të përkohshëm në qendrën e UNIDO-s.
Kryetari i TIKA-s Çam tha në deklaratën për gazetarin e AA-së se në kuadër të marrëvesjes së mirëkuptimit është bërë po ashtu vlerësimi i projekteve të përbashkëta për shtetet e treta.“E zgjeruam dhe e ripërtërimë marrëveshjen e parë të bashkëpunimit mes TIKA-s dhe UNIDO-s të nënshkruar më 16 qershor të vitit 2008”, tha Çam.
Sipas tij, në këtë drejtim u fol dhe u vendos për aktivitete të përbashkëta dhe bashkëpunim në platformën ndërkombëtare duke e përdorur edhe kapacitetin në ndihma, përfshirë ndihmat aktuale për zhvillim të Turqisë.
"Në Turqi po realizohen projekte të rëndësishme të përbashkëta për zhvillimin e firmave të vogla dhe të mesme dhe rritjen e ndërmarrësve dhe gjenerimin e masave të cilat mund ta vazhdojnë jetën të vetëqëndrueshëm pa qenë nevojtarë. Andaj, ne u shprehëm se do të ndienim kënaqësi që kjo të bëhet në një çati më të gjerë së bashku me UNIDO-n. Folëm për synimet tona që – lusim Zotin pas luftës - projektet dhe punët që i kemi bërë në Siri, Irak, Jemen, Azinë Qendrore dhe Ballkan t’i bëjmë së bashku me UNIDO-n", theksoi Çam.
Do të përurohet përmendorja e dëshmorëve
Çam po ashtu tha se në qytezën Mogersdorf të Austrisë do të inaugurohet përmendorja e bërë nga TIKA për ushtarët osmanë që ranë dëshmorë para 350 vitesh në Betejën e Shën Gotardit.
Duke potencuar se përmendorja në Mogersdorf është projekt simbolik dhe kuptimplotë, Çam tha se “Në një kohë të përshtatshme do ta bëjmë inaugurimin e kësaj përmendoreje simbolike me pjesëmarrjen edhe të ambasadorit tanë në Vjenë".
Sipas historianëve, në Betejën e Shën Gotardit ranë dëshmorë midis 5 mijë dhe 15 mijë ushtarëve osmanë. Vitin e kaluar TIKA i kishte përfunduar punimet për vendosjen e përmendoreve për ushtarët osmanë dëshmorë në këtë betejë që u realizua në vitin 1664 mes ushtrisë osmane të komanduar nga veziri i madh Fazëll Ahmet Pasha Qypryliu dhe Austro-Hungarisë, Gjermanisë dhe Francës.
Çam tha se janë në kontakt me shumë organizata të përafërta me TIKA-n, duke shtuar se në këtë drejtim kanë marrë kërkesa për takime. Ai shtoi se në ditët në vijim do të diskutojnë për projekte në shtetet e treta me organizatat më të shquara austriake që veprojnë në fushën e ndihmave.