Laith Joneidi,Menna Ahmed,Afra Aksoy
14 Shkurt 2018•Përditësim: 15 Shkurt 2018
AMMAN (AA) – Sekretari i Jashtëm i SHBA-ve, Rex Tillerson, ka kërkuar nga Irani t’i tërheqë forcat nga Siria, raporton Anadolu Agency (AA).
Tillerson, i cili në kuadër të turneut në Lindjen e Mesme gjendet për vizitë zyrtare në kryeqytetin e Jordanisë, Aman, u takua me homologun e tij jordanez Ayman Safadi.
Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, Tillerson u shpreh se ndihet i shqetësuar për zhvillimet e fundit midis Iranit dhe Izraelit në Siri. "Duam që Irani t’i tërheqë forcat nga Siria", shtoi ai.
Duke përmendur ndikimin e Iranit te Hezbollahu në Liban, Tillerson shtoi se mbështesin ndërtimin e një Libani të lirë dhe të pavarur në të cilin të gjitha forcat ushtarake janë nën kontrollin e qeverisë.
Tillerson, lidhur me vizitën e nesërme në Liban, tha se me liderët libanezë do të diskutojnë për procesin e demokracisë dhe të ardhmen e vendit.
Safadi dhe Tillerson nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në kuadër të bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve, me të cilin parashihet që SHBA-të t'i japin Jordanisë ndihmë vjetore prej 1,275 miliardë dollarësh për një afat prej pesë viteve.
Në kuadër të turneut në Lindjen e Mesme, që përfshin Turqinë, Egjiptin, Jordaninë, Libanin dhe Kuvajtin, Rex Tillerson deri më tani ka vizituar edhe Egjiptin dhe Kuvajtin.