Ferdi Bayat
29 Prill 2022•Përditësim: 01 Maj 2022
Tradita e sofrës së iftarit në rrugë gjatë muajit të Ramazanit, e cila quhet “Mawaid er-Rahman” në Egjipt dhe daton afërsisht 1.100 vjet më parë, ende vazhdon të ndihmojë njerëzit në nevojë.
Tradita e shtrimit të sofrave të iftarit në rrugë, e cila u zhvillua për herë të parë gjatë periudhës së Tulunidëve, të cilët sunduan vendin në vitet 868-905, vazhdon edhe sot, veçanërisht rreth xhamive të mëdha si "El-Azhar" dhe "Husejn" në kryeqytetin Kajro dhe në gjithë Egjiptin.
Sipas të dhënave në faqen e lajmeve “Sada el-Beled” me bazë në Egjipt, sofra e iftarit në Ramazan, e cila më vonë u bë traditë, fillimisht u ngrit nga Ahmed bin Tulun me origjinë turke. Ahmed bin Tulun urdhëroi që kjo tryezë të shtrohej gjatë muajit të Ramazanit.
- "Përgatisim ushqim për të paktën 3.500 persona në baza ditore"
Shefi i kuzhinës, Muhammed Hamdi, i cili dërgoi ushqime në shtëpitë e personave në nevojë në qytetin Faiyum, shpjegoi për Anadolu Agency (AA) aktivitetet e Ramazanit në qytet.
Hamdi deklaroi se për shumë vite, Shoqata Bamirëse Salahuddin ka shtruar dy sofra iftari për afërsisht 550 njerëz në Ramazan çdo vit në jug të Faiyum-it.
Shefi Hamdi shpjegoi se me fillimin e muajit të Ramazanit, ai gatuan ushqime për ata që kanë nevojë.
"Ne përgatisim ushqim për të paktën 3.500 njerëz në baza ditore. Gjithashtu shërbejmë ëmbëlsira dhe pije krahas ushqimit kryesor. Sigurisht që pjatat tona ndryshojnë nga dita në ditë”, tha ai.
Hamdi tha se disa nga vaktet e tyre ditore i çonin në tryezat e iftarit të vendosura në rrugë, ndërsa pjesën tjetër në shtëpitë e atyre në nevojë që jetonin në pjesë të ndryshme të qytetit.
Duke iu referuar punës së tij të përditshme gjatë Ramazanit, Hamdi tha se ai në mënyrë rutinore vjen në kuzhinë çdo mëngjes dhe përgatit ushqimet deri në pasdite, dhe më pas vullnetarët i paketojnë ushqimet dhe dalin për t'i shpërndarë.
- "Mirëpresim njerëz në nevojë nga të gjitha sferat, të rinj, të moshuar, burra dhe gra"
Mahmud al-Haddad, i cili organizoi sofër të iftarit, deklaroi se ata shtrojnë sofra iftari për qindra njerëz çdo ditë gjatë muajit të Ramazanit.
“Ne shtrojmë tryezë iftari për 550 persona çdo ditë gjatë muajit të Ramazanit. Unë kam shtruar një tryezë të veçantë për gratë në mënyrë që ato të hanë ushqimet e tyre. Ne presim të gjithë njerëzit në nevojë nga të gjitha sferat, të rinj e të moshuar, burra e gra dhe fëmijë”.
Nga ana tjetër, Hajer Muhammed deklaroi se ka aplikuar për të punuar si vullnetare në një kuzhinë gjatë Ramazanit dhe pasi u pranua, ka shkuar çdo ditë dhe i ka paketuar ushqimet.
Duke thënë se këtë punë e ka bërë vetëm për të fituar sevap, Muhammed theksoi se ndihej shumë e qetë duke bërë këtë punë bamirësie dhe se shumë njerëz ishin të etur për ta bërë këtë vepër.