Michael Hernandez
30 Gusht 2019•Përditësim: 30 Gusht 2019
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi të enjten se ka anuluar udhëtimin e planifikuar këtë fundjavë në Poloni ndërsa uragani Dorian i afrohet brigjeve të SHBA-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Zv/presidenti Mike Pence do të marrë pjesë në përkujtimin e Luftës së Dytë Botërore në Evropën Qendrore në vend të tij, tha Trump në fjalimin e tij në "Rose Garden", ku po shënohet themelimi i Komandës Hapësinore të SHBA-së.
Trump tha se ai do të qëndrojë në Washington "për të siguruar se të gjitha burimet e qeverisë federale janë të përqendruara në stuhinë që po afrohet".
"Është diçka shumë e rëndësishme për mua që të jem këtu", tha presidenti Trump. "Stuhia duket sikur mund të jetë vërtet shumë, shumë e madhe".
Trump tha se ai e ka informuar presidentin polak Andrzej Duda se nuk do të marrë pjesë.
Dorian pritet të godasë pjesën lindore të Floridas si uragan shkatërrues i kategorisë së katërt këtë fundjavë. Ai po lëviz në veriperëndim drejt shtetit të SHBA-së me erë të fuqishme dhe shpejtësi maksimale prej 137 kilometra në orë.
Aktualisht është rreth 644 kilometra në lindje të ishujve Bahamas.
Stuhia tropikale me erëra të forta mund të ndjehet në Florida të shtunën pasdite ose mbrëmjen e së shtunës, paralajmërojnë parashikuesit.
Shërbimi Kombëtar i Uraganit paralajmëron "rritjen e mundësisë së rrezikut për jetën nga goditjet e uraganit të fuqishëm" përgjatë pjesëve të bregdetit lindor të Floridas, duke vënë në dukje se kërcënimi i erërave të forta të uraganit që godasin atë pjesë të Floridas "vazhdon të rritet".
"Banorët duhet të kenë planin e tyre të uraganit, të dinë nëse janë në zonën e evakuimit të uraganit dhe të dëgjojnë këshillat nga zyrtarët lokalë të urgjencës", tha shërbimi në azhurnimin e tij të fundit të uraganit.
Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis shpalli të enjten gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë Floridan për shkak të "shtegut të pasigurtë të parashikuar" të uraganit.
"Ndërsa forca e saj rritet, stuhia ka potencialin të dëmtojë rëndë shtëpitë, bizneset dhe ndërtesat, prandaj të gjithë banorët e Floridas duhet të jenë vigjilentë. Mos prisni derisa të bëhet vonë për të bërë një plan", paralajmëroi ai përmes një deklarate pas konferencës në Qendrën Kombëtare të Uraganit në Miami.