Michael Gabriel Hernandez
26 Gusht 2020•Përditësim: 27 Gusht 2020
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi sot se po dërgon forcat federale në Kenosha në shtetin Wisconsin pasi tre persona u qëlluan brenda natës, duke përfshirë dy fatalisht, transmeton Anadolu Agency (AA).
Trump tha se vendimi është marrë pas një telefonate me Guvernatorin e Wisconsin-it, Tony Evers, i cili ka thënë se ka pranuar ofertën e tij për të dërguar oficerë federalë të zbatimit të ligjit dhe më shumë pjesëtarë të Gardës Kombëtare në qytetin e përfshirë nga incidentet.
"Ne nuk do të tolerojmë plaçkitje, zjarrvënie, dhunë dhe paligjshmëri në rrugët amerikane”, tha Trump në Twitter.
"Sot unë do të dërgoj forcat federale të zbatimit të ligjit federal dhe Gardën Kombëtare në Kenosha, Wisconsin, për të rivendosur ligjin dhe rendin”, shtoi presidenti amerikan.
Qyteti ka qenë skenë e trazirave të gjera civile pasi policia qëlloi një afroamerikan të dielën, duke shkaktuar demonstrata kundër padrejtësisë racore dhe brutalitetit të policisë që kanë eskaluar vazhdimisht në dhunë dhe kanë çuar në dëme masive të pronës.
Policia ende po kërkon të dyshuarin ose të dyshuarit e përfshirë në të shtënat në mbrëmjen e së martës, pasi një individ që mund të ketë qëlluar një ose të gjithë viktimat u shfaq në pamje të shkrepura nga telefoni celular.