Eshat Fırat
22 Maj 2017•Përditësim: 22 Maj 2017
TEL AVIV (AA) - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, i cili ka arritur në Izrael për vizitë zyrtare dyditore, ka thënë se arsyeja e vizitës së tij në Izrael është të konfirmohet se është e pamundur prishja e marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).
"Arsyeja e vërtetë e vizitës sime në Izrael është të tregohet se është e pamundur prishja e marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Izraelit", ka thënë Trump, duke folur në ceremoninë e pritjes në aeroportin Ben Gurion në afërsi të kryeqytetit izraelit, Tel Aviv.
Duke folur edhe për Samitin e organizuar në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad në të cilin ai mori pjesë, Trump ka thënë se ka parë shpresë gjatë vizitave që ka zhvilluar ditëve të fundit.
"Ka një mundësi të pashoqe për t'i dhënë fund terrorit në këtë rajon dhe për të arritur siguri, stabilitet dhe paqe. Megjithatë, këtë mund ta arrijmë duke punuar së bashku. Nuk kemi rrugë tjetër. Ne e duam dhe e respektojmë Izraelin", ka shtuar Trump.
Nga ana tjtetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili mbajti fjalim në ceremoninë e pritjes, e ka cilësuar si "historike" vizitën e Trumpit në Izrael, duke shtuar se asnjë lider amerikan më parë nuk e ka realizuar turnenë e tij të parë jashtë vendit në Izrael.
Ndryshe, Izraeli është stacioni i dytë i presidentit amerikan Trump pas Arabisë Saudite. Në ceremoninë e pritjes të pranishëm ishin presidenti izraelit Reuven Rivlin, kryeministri Netanyahu dhe zyrtarë të lartë të Izraelit.
Trump, i cili pas ceremonisë ka kaluar në zyrën e kryeministrit dhe presidentit në Jerusalemin Perëndimor, më pas pritet të vizitojë Murin e Vajtimit, që është muri perëndimor i Xhamisë Aksa, dhe Kishën e Varrit të Shenjtë, që ndodhen në rajonin e qytetit të vjetër të Jerusalemit Lindor të okupuar.
Pas takimeve që Trump do të zhvillojë me zyrtarët izraelitë, pritet që ai të vizitojë qytetin e Betlehemit në Bregun Perëndimor dhe të takohet me presidentin e Palestinës Mahmud Abbas.