Berk Kutay Gökmen
27 gusht 2026•Përditësim: 27 gusht 2026
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk do të sulmojë territorin e NATO-s”, transmeton Anadolu.
I pyetur në Zyrën Ovale nëse Putini kishte rënë dakord apo ishte zotuar se nuk do të sulmonte territorin e NATO-s, Trump u përgjigj: “Kam pasur biseda të mira me të. Ai nuk do të sulmojë territorin e NATO-s”.
I pyetur nëse dëshironte t’i dërgonte një paralajmërim Rusisë që të mos sulmonte territorin e NATO-s, Trump tha: “Nuk dua të komentoj për këtë, por ata nuk do të sulmojnë”.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, së fundmi u takua me zyrtarë rusë në Moskë, ndërsa disa raportime pretendojnë se ai e paralajmëroi Moskën të mos përshkallëzojë konfliktin me aleatët e SHBA-së në NATO për shkak të mbështetjes së tyre për Ukrainën.
Trump u pyet gjithashtu nëse Washingtoni do ta “ndëshkonte” Putinin apo Rusinë nëse Moska vazhdonte të bënte biznes me Iranin, pavarësisht paralajmërimeve amerikane.
“Varet. Varet. Deri më tani, mendoj se Rusia është sjellë mjaft mirë sa i përket Ngushticës së Hormuzit”, tha Trump.
Në një intervistë më herët për Axios, Trump tha se nuk ishte “aspak i shqetësuar” se Rusia do të sulmonte një vend të NATO-s, duke shtuar: “Nuk ka asnjë problem”.
Trump gjithashtu kundërshtoi raportimet se Ratcliffe kishte udhëtuar në Moskë për të paralajmëruar Rusinë që të mos sulmonte territorin e NATO-s.
Sipas Axios, Trump e cilësoi takimin e Ratcliffe me kreun e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, Sergey Naryshkin, si “punë rutinë”.
“Ratcliffe takohet me homologun e tij rus një herë në gjashtë muaj ose një herë në vit. Ata kanë një marrëdhënie shumë të mirë. Nuk kishte asnjë mesazh dhe nuk kishte asgjë të pazakontë”, tha Trump.