Servet Günerigök
08 Janar 2020•Përditësim: 08 Janar 2020
Presidenti amerikan Donald Trump tha se "gjithçka është në rregull" pasi raketat iraniane goditën bazat ushtarake irakiane ku janë të vendosura forcat e ushtrisë amerikane, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Gjithçka është në rregull! Raketa u lëshuan nga Irani ndaj dy bazave ushtarake në Irak. Tani po bëhet vlerësimi i viktimave dhe dëmeve. Deri më tani, mirë! Deri tani, ne kemi ushtrinë më të fuqishme dhe më mirë të pajisur kudo në botë! Do të jap deklaratë nesër në mëngjes", shkroi Trump në Twitter gjatë orëve të vona të mbrëmjes së kaluar.
Komenti i Trump erdhi disa orë pasi Irani lëshoi dhjetëra raketa balistike kundër ushtrisë amerikane dhe forcave të koalicionit në Irak.
Zëdhënësi i Pentagonit, Jonathan Hoffman, tha se raketat u lëshuan nga Irani dhe shënjestruan të paktën dy baza ushtarake në Irak që strehojnë ushtarë amerikanë dhe personel të koalicionit në Al-Asad dhe Erbil.
Më pas, ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Javad Zarif, tha se Teherani ka "konkluduar masa proporcionale" në përgjigje të vrasjes së javës së kaluar nga SHBA-të kreut të forcës elitare iraniane Quds, Qasem Soleimani, duke shtuar se Teherani nuk po kërkon një luftë me SHBA-të.
"Irani ndërmori dhe konkludoi masa proporcionale në vetëmbrojtje, në bazë të nenit 51 të Kartës së OKB-së, duke shënjestruar bazën nga e cila u fillua sulmi i armatosur frikacak kundër qytetarëve tanë dhe zyrtarëve të lartë", shkroi Zarif në Twitter duke shtuar se "ne nuk kërkojmë përshkallëzim ose luftë, por do të mbrohemi kundër çdo agresioni".
Pas sulmeve, Administrata Federale Amerikane e Aviacionit (FAA), tha se do të ndalojë transportuesit amerikanë të fluturojnë në hapësirën ajrore mbi Irakun, Iranin, Gjirin e Omanit dhe ujërat midis Iranit dhe Arabisë Saudite.
Përpos kësaj, Trump zhvilloi bisedë edhe me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani dhe e falënderoi atë për partneritetin e fuqishëm të Katarit me SHBA-të.
"Presidenti dhe Emiri diskutuan situatën në Irak dhe Iran, si dhe çështjet kritike dypalëshe dhe rajonale", tha në një deklaratë zv/sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere.
Të premten, Soleimani u vra në një sulm ajror amerikan në afërsi të aeroportit ndërkombëtar në Bagdad.
Operacioni ishte kulmi i akuzave midis SHBA-ve dhe forcave të mbështetura nga Irani që filluan me vrasjen e një kontraktori amerikan në një bazë amerikane në Irak në fund të muajit të kaluar.
SHBA u hakmor me sulme ajrore ndaj milicive të mbështetura nga Irani për të cilat SHBA pretendon se janë përgjegjëse për kryerjen e sulmit, duke vrarë dhjetëra. Më pas, ambasada amerikane në Bagdad u sulmua nga një grup i militantëve dhe demonstruesve të zemëruar.