Murat Ünlü
17 Gusht 2017•Përditësim: 17 Gusht 2017
PARIS (AA) – Me vendim të gjykatës lokale, për një pjesë të refugjatëve në qytetin Calais të Francës sigurohen kushtet e pastërtisë dhe të tualetit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Aplikohet vendimi i gjykatës lokale të Lille-s, për “ofrimin e kushteve të pastërtisë” për rreth 700 refugjatë të cilët ndodhen në qytetin Calais, në veri të vendit.
Përkundër apelit të Ministrisë së Brendshme dhe të qeverisë së qytetit Calais për vendimin e marrë në muajin qershor, Këshilli i Shtetit të Francës kishte refuzuar ankesën.
Autoritetet lokale njoftuan se në rajon janë vendosur 10 tualete dhe 5 burime të ujit të pastër, si dhe që në një kohë të afërt do të rritet numri i tyre.
Kampi i refugjatëve në Calais i cili njihet si “Jungle” ku strehohen 8 mijë persona, gjatë muajit tetor të vitit të kaluar ishte evakuuar për shkak të kushteve të pamjaftueshme të shëndetësisë, ku një pjesë e refugjatëve ishin vendosur përkohësisht në disa qendra të strehimit, kurse një pjesë e tyre ishin kthyer përsëri në Calais.
Organizatat humanitare në Francë shpesh kritikojnë qeverinë e Francës për shkak të kushteve të vështira të jetës në rajonin e refugjatëve.