Atila Altuntaş
17 Gusht 2017•Përditësim: 17 Gusht 2017
STOCKHOLM (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme i Katarit, Sheiku Muhamed bin Abdurrahman al-Thani, duke u shprehur se mirëpret lejimin e hyrjes së kandidatëve për haxhinj nga Katari në Arabinë Saudite, thotë se “Ky është një hap i rëndësishëm për largimin e embargos së aplikuar për Katarin”, raporton Anadolu Agency (AA).
Al Thani, i cili ndodhet në Stockholm të Suedisë për një vizitë zyrtare, zhvilloi takim me ministren e Jashtme të Suedisë, Margot Wallström.
Sheiku Al Thani dhe Wallström bënë vlerësime lidhur me embargon e vendosur të Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Bahrejnit dhe Egjiptit ndaj Katarit.
“Ne po e mirëpresim lejen e Arabisë Saudite për Haxhin dhe Umren e sivjetshëm për popullin tonë. Ky është një hap i rëndësishëm për largimin e embargos së aplikuar për Katarin. Ne jemi të gatshëm për t’i eliminuar shqetësimet e shteteve që na kanë vendosur embargo. Por prapa embargos së vendosur duket se ka arsye tjera”, thotë Al Thani.
Ndërkaq ministrja e Jashtme e Suedisë, Margot Wallström, thotë se ka mundësi të shumta që Suedia t’i zhvillojë marrëdhëniet e saj me Katarin.
“Njëra nga vendet prioritare të Suedisë për investime tregtare është Katari. Ne dëshirojmë t’i thellojmë marrëdhëniet Suedi-Katar. Ne jemi përkrahës të asaj që embargoja e vendosur ndaj Katarit të zgjidhet nëpërmjet dialogut. Ne mbështesim përpjekjet e Kuvajtit, i cili bën hapa për zgjidhjen e problemit në këtë drejtim”.