Aynur Ekiz
21 Nëntor 2023•Përditësim: 21 Nëntor 2023
Ministri i Shëndetësisë i Türkiyes, Fahrettin Koca, ka bërë të ditur se vendi i tij ka përgatitur një listë me 50 pacientë të tjerë, kryesisht fëmijë, për t’u evakuuar nga Rripi i Gazës ku sulmet e pamëshirshme izraelite kanë vazhduar për 46 ditë me radhë, raporton Anadolu.
Pasi Türkiye në javët e fundit strehoi dy grupe nga gjithsej 88 pacientë nga enklava e rrethuar palestineze, Koca tha se një evakuim i tretë mund të ndodhë në ditët në vijim.
“Evakuimi i tretë mund të realizohet në ditët në vijim”, u tha Koca ligjvënësve në parlamentin turk, duke shtuar se prioritet ishin “foshnjat, fëmijët dhe të plagosurit”.
“Aktualisht jemi duke punuar në një listë prej 50 personash, kryesisht fëmijë. Mendoj se kjo do të finalizohet në ditët në vijim”, tha ai.
Koca tha se një ekip koordinues me Izraelin, Egjiptin dhe Türkiyen po punon në grupin e tretë të evakuimit, duke përfshirë edhe atë se sa nga lista e Ankarasë me 50 persona mund të kalojnë.
Duke theksuar se Türkiye ka pranuar gjithsej 150 njerëz nga Gaza, përfshirë 62 shoqërues, ai tha se gjashtë pacientë po marrin kujdesin intensiv.
I pyetur për evakuimin e foshnjave të parakohshme nga Gaza, Koca tha se ata po planifikojnë fillimisht të evakuojnë foshnjat nën 12 muajsh, si dhe fëmijët deri në 4-vjeç.
Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.
Së fundmi, autoritetet në Gaza njoftuan se numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në enklavën e rrethuar që nga 7 tetori është rritur në mbi 13.300, përfshirë 5.600 fëmijë dhe 3.550 gra.
Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është rreth 1.200.