Erdoğan Çağatay Zontur
21 Maj 2019•Përditësim: 22 Maj 2019
Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka inauguruar godinën e re të ambasadës turke në Guatemalë, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke u adresuar në ceremoninë e hapjes, e cila u mbajt dje në kryeqytetin Guatemala City, Çavuşoğlu tha se Guatamela është një nga “partnerët më strategjik” të Turqisë në Amerikën Latine.
Çavuşoğlu theksoi se lidhjet e ndërsjella midis dy vendeve po zhvillohen në çdo fushë, duke përfshirë tregtinë dhe kulturën.
Kryediplomati turk po ashtu tha se Turqia aktualisht ka një konsullatë të përgjithshme dhe 16 ambasada në Amerikën Latine, duke paralajmëruar së shpejti edhe inaugurimin e një ambasade turke në Uruguaj.
Ai po ashtu bëri të ditur se Turkish Airlines do të shtojë Meksikën në destinacionet e saj në Amerikën Latine.
Siç tha Çavuşoğlu, përveç përmes misionit të saj, Turqia është aktive në Amerikën Latine dhe Karaibe nëpërmjet organizatave të saj, të tilla si Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Çavuşoğlu është në Guatemala për të marrë pjesë në Forumin e Tretë Politik të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Turqisë dhe grupit rajonal të Sistemit të Integrimit të Amerikës Qendore (SICA).
Duke u adresuar në hapjen e ceremonisë së ambasadës turke, ministrja e Punëve të Jashtme e Guatemalës, Sandra Jovel, tha se hapja e godinës së re do të thotë përforcim dhe thellim i marrëdhënieve ekzistuese mes dy vendeve.
Jovel, e cila ndoqi ceremoninë e hapjes së ambasadës në emër të presidentit Jimmy Morales, shtoi se axhenda Turqi-SICA do të mbulojë çështjet e sigurisë demokratike, ndryshimeve klimatike, parandalimit të katastrofave dhe integrimit ekonomik si dhe përforcimit të strukturës organizative.