Sibel Uğurlu
02 Gusht 2019•Përditësim: 02 Gusht 2019
Zv/ministri dhe zëdhënës i Ministrisë së Brendshme turke, Ismail Çataklı ka njoftuar se Turqia ka neutralizuar 165 terroristë, përfshirë edhe 17 operativë të lartë gjatë operacioneve anti-terroriste në shtet gjatë korrikut, raporton Anadolu Agency (AA).
"Janë zhvilluar gjithsej 11.646 operacione anti-terroriste në zonat rurale dhe 1.409 në qytete", tha zëdhënësi Ismail Çataklı gjatë një takimi me gazetarët.
"Në këto operacione, gjithsej 165 terroristë janë neutralizuar, përfshirë edhe 17 operativë të lartë. Në mesin e tyre dy ishin në kategorinë e kaltër, dy në kategorinë portokalli dhe 13 në kategorinë gri të listës së të kërkuarve të Ministrisë së Brendshme", tha Çataklı.
Nga gjithsej 165 terroristët, Çataklı tha se 74 prej tyre ishin vrarë, 33 ishin kapur të gjallë ndërsa 58 të tjerë u janë dorëzuar forcave të sigurisë.
Ai tha se 146 prej terroristëve ishin anëtarë të organizatës terroriste PKK/KCK, 17 anëtarë të DEASH-it dhe dy anëtarë të grupeve terroriste të ekstremit të majtë.
Çataklı gjithashtu tha se 2.940 të dyshuar janë arrestuar shkaku i lidhjeve të dyshuara me organizatat terroriste, apo mbështetjes dhe ndihmës ndaj tyre.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë.