Hasan Esen
24 Qershor 2016•Përditësim: 25 Qershor 2016
BRUKSEL (AA) – Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk pas rezultatit të referendumit në Britani të Madhe deklaroi se janë të vendosur që ta ruajnë Bashkimin Evropian (BE) me 27 shtete. “Ajo që nuk ju vret, ju forcon”, tha ai, raporton Anadolu Agency (AA).
Tusk bëri një deklaratë të shkurtër pas shpalljes së rezultateve të referendumit për daljen e Britanisë nga BE-ja. Ai tha se kanë pritur një epilog ndryshe të referendumit.
“Jam i vetëdijshëm se sa serioz, madje edhe dramatik, është ky rezultat në aspektin politik. Veçanërisht në Britani ky rezultat mund të prodhojë efekte të rëndësishme politike", tha Tusk.
Sipas tij, ky është një çast historik. "Megjithatë, nuk është koha të japim reagime të nxitura. Dua ta siguroj gjithkë se kemi qenë të përgatitur të përballemi edhe me këtë skenar negativ", u shpreh ai.
Tusk më tej shtoi se gjatë ditëve të fundit liderët e BE-së, kryeministrat, kryetarët e shteteve dhe kryetarët e institucioneve të BE-së kanë biseduar në lidhje me daljen e mundshme të Britanisë nga BE-ja.
“Sot, në emër të 27 shteteve anëtare, mund ta them këtë: Jemi të vendosur ta ruajmë bashkimin tonë me 27 shtete. Për të gjithë ne, bashkimi ynë përbën kornizat e së ardhmes tonë", tha presidenti i Këshillit Evropian.