Kanyshai Butun
15 Maj 2026•Përditësim: 15 Maj 2026
Numri i viktimave nga sulmet ajrore ruse në shkallë të gjerë në Ukrainë të enjten është rritur në 24, përfshirë tre fëmijë, ndërsa 48 persona u plagosën, deklaroi sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, transmeton Anadolu.
Zelenskyy, përmes rrjetit social X bëri të ditur se kanë përfunduar se operacionet e kërkim-shpëtimit në vendin e një goditjeje ruse në një ndërtesë banimi në kryeqytetin Kiev. “Rusët praktikisht shkatërruan një seksion të tërë të ndërtesës me raketën e tyre”, tha ai.
Zelenskyy u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave, duke shtuar se të lënduarit ose të zhvendosurit do të marrin ndihmën e nevojshme. “Një Rusi si kjo nuk mund të normalizohet kurrë. Një Rusi që shkatërron qëllimisht jetë dhe shpreson të mbetet e pandëshkuar”, tha Zelenskyy duke theksuar se “nevojitet presion”.
"Ukraina po mbron Evropën dhe botën që sulme të tilla të mos përhapen më tej. Kjo është arsyeja pse mbështetja për mbrojtësit e jetës duhet të vazhdojë. Mbrojtja kundër raketave balistike është gjithmonë e nevojshme”, shtoi ai.
Më herët të enjten, Zelenskyy tha se forcat ruse kishin lëshuar më shumë se 1.560 dronë kundër Ukrainës që nga fillimi i ditës së mërkurë.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë konfirmoi të enjten kryerjen e sulmeve masive ajrore gjatë natës, duke pretenduar se sulmet kishin në shënjestër infrastrukturën ushtarake të Ukrainës në përgjigje të sulmeve të Kievit ndaj objekteve ruse të energjisë.