Muhammed Shekh Yusuf,Adham Kako
24 tetor 2017•Përditësim: 24 tetor 2017
ANKARA (AA) – Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) njoftoi se të paktën 397 persona kanë humbur jetën nga uria dhe mungesa e barnave përgjatë pesë viteve të rrethimit të regjimit të Bashar al-Assad-it në rajonin e Gutës Lindore në Damask, transmeton Anadolu Agency (AA).
SNHR publikoi një raport special lidhur me rrethimin e regjimit të Assad-it dhe të grupeve të jashtme terroriste në rajonin e Gutës Lindore, i cili ndodhet në kryqytetin e Sirisë, Damask.
“Sipas regjistrimeve tona, të paktën 397 civilë, 206 prej tyre fëmijë dhe 67 gra, kanë humbur jetën për shkak të bllokadës së zbatuar për pesë vite nga regjimi sirian në Gutën Lindore, që nga tetori i vitit 2012”, thuhet në raportin e titulluar “Rrethimi i Gutës Lindore është lloj i ndëshkimit kolektiv”.
Në raport thuhet se shumica e personave që kanë humbur jetën janë foshnje, të moshuar, të sëmurë dhe të plagosur nga sulmet e regjimit.
Duke vënë në dukje se një numër i madh i foshnjeve janë prekur nga rrethimi, raporti ka nënvizuar vdekjen e një foshnje si pasojë e mungesës së ushqimit dhe barnave
“Foshnja Seher ditë më parë humbi jetën për shkak të mungesës së ushqimit dhe të barnave, gjë që ndodh si pasojë e bllokadës në Gutën Lindore”, thuhet në raport.
Në raport po ashtu thuhet se “bllokada e koalicionit Siri-Iran, përkundër marrëveshjes së arritur me Rusinë për zonat e deeskalimit, ende është duke vazhduar”.
- Më shumë se 350 mijë civilë ndodhen nën rrethim
Duke rikujtuar se regjimi dhe mbështetësit e tij kanë filluar ta rrethojnë Gutën Lindore që nga tetori i vitit 2012, raporti, ndër të tjera, thekson:
“Më 19 tetor të vitit 2013, bllokada u ashpërsua. Sipas regjistirimeve që nga viti 2015 e deri më tani, si rezultat i marrëveshjeve të arritura mes regjimit sirian dhe grupeve opozitare, në disa rajone të Gutës Lindore është dërguar një numër i kufizuar i ushqimit".
Sipas raportit, të paktën 350 mijë civilë përpiqen të mbijetojnë nën rrethim dhe nën sulme.
- Në prag të mbarimit të produkteve elementare, çmimet janë dyfishuar
SNHR në raport ka tërhequr vëmendjen për mbarimin e produkteve elementare dhe rritjen e çmimeve.
“Pothuajse është e pamundur që në rajon të gjenden produktet elementare, siç është qumështi i fëmijëve, për shkak të bllokadës së ashpërsuar. Çmimet e produkteve janë rritur shumë”, potencohet në raport.
Duke vënë në dukje se blerja e produkteve ushqimore dhe atyre elementare është mjaft e vështirë për shkak të çmimeve të larta, raporti thotë se, “Çmimi i një kilogram orizi në rajon është rreth dy mijë e 300 funta siriane (rreth 4 euro), kurse një kilogram i sheqerit pesë mijë e 700 funta siriane (rreth 9,5 euro). Kurse mielli është gati në përfundim”.
Në raport thuhet se civilët janë duke mbijetuar nga produktet sezonale dhe nga ushqimet e ruajtura që më parë.
- Përkundër armëpushimit, sulmet vazhdojnë
Në raport thuhet sulmet e forcave të regjimit dhe atyre ruse janë duke vazhduar përkundër marrëveshjes për zonat e deeskalimit. Sipas raportit, që nga 22 korriku e deri më tani janë ndërmarrë 23 sulme ndaj vendbanimeve civile, ku katër prej tyre ishin ndaj institucioneve shëndetësore.