İdiris Okuduci
18 Tetor 2022•Përditësim: 18 Tetor 2022
Ushtria e Libanit njoftoi se një varkë ushtarake e Izraelit ka hyrë në ujërat territoriale dhe ka shkelur kufirin detar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ushtria e Libanit në një deklaratë të publikuar në agjencinë zyrtare të vendit NNA, tha se "anija armike ushtarake izraelite hyri në ujërat territoriale të Libanit në rajonin Ras an-Nakura në jug dhe shkeli kufirin".
Në deklaratë theksohet se shkeljet i janë raportuar Task Forcës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila është vëzhguese në kufirin jugor.
Ushtria e Libanit më 17 tetor deklaroi se dy anije ushtarake të Izraelit hynë në ujërat territoriale të Libanit duke thyer kufirin.
Me ndërmjetësimin e OKB-së dhe SHBA-së pritet që në ditët në vijim të nënshkruhet marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve fqinje, të cilat nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe janë në gjendje lufte.
Vlen të përmendet se shkeljet e kufirit në det të shpallura nga Ushtria e Libanit kanë ndodhur para marrëveshjes.