Yaser Arafat Mohamed Albanna,Said İbicioğlu
09 Shkurt 2022•Përditësim: 09 Shkurt 2022
Ushtria izraelite njoftoi se ka kryer një sulm ndaj pozicioneve ku ndodhen ushtarët e regjimit sirian, si hakmarrje ndaj një rakete kundërajrore të lëshuar nga forcat e Asadit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas deklaratës së ushtrisë izraelite në llogarinë e saj në rrjetet sociale, është zbuluar një raketë kundërajrore e lëshuar nga territori sirian drejt Izraelit.
Megjithatë, raketa, për të cilën sistemet e mbrojtjes ajrore nuk kishin nevojë të ndërhynin, shpërtheu në hapësirën ajrore izraelite.
Në deklaratë thuhet se Izraeli u hakmor ndaj pozicioneve që i përkisnin forcave të Asadit, përfshirë baterinë dhe sistemin e radarit.
- Një ushtar i regjimit sirian u vra dhe 5 tjerë u plagosën në sulm
Sipas agjencisë së lajmeve SANA të regjimit të Asadit, Izraeli kreu një sulm ajror dhe më pas nisi një sulm me raketa tokë-tokë nga Lartësitë e pushtuara të Golanit në disa pozicione rreth kryeqytetit të Damaskut.
Si pasojë e sulmeve izraelite mbeti i vrarë një ushtar i regjimit ndërsa 5 të tjerë u plagosën.
Kanali i lajmeve të regjimit të Asadit, Al-Ikhbaria njoftoi se Izraeli kishte në shënjestër afërsinë e Damaskut me sulme ajrore. “Sistemet tona të mbrojtjes ajrore kundërshtuan raketat armike dhe rrëzuan disa prej tyre", thuhet në lajmin e Al-Ikhbaria.
Regjimi i Asadit pretendon se Izraeli kreu një sulm ajror rreth Damaskut më 31 janar.
Që nga viti 2011, kur filloi lufta civile, Izraeli ka kryer herë pas here sulme kundër grupeve të mbështetura nga Irani dhe pozicioneve ushtarake të regjimit në Siri.
Zyrtarët izraelitë në përgjithësi përmbahen nga komentimi i sulmeve në territorin sirian.