Meryem Göktaş
23 Mars 2018•Përditësim: 24 Mars 2018
AFRIN (AA) - Ushtria turke ka gjetur ndërtesat e selisë së organizatës terroriste YPG/PKK gjatë spastrimeve të sigurisë në zonat e Afrinit të çliruar nga terroristët, raporton Anadolu Agency (AA).
Turqia nisi operacionin "Dega e Ullirit" më 20 janar për të pastruar grupet terroriste nga Afrini, në veriperëndim të Sirisë.
Më 18 mars, trupat e mbështetura nga Turqia çliruan qendrën e qytetit të Afrinit, zona kryesore urbane e rajonit me po të njëjtin emër, e cila ishte strehë e madhe për YPG/PKK-në që nga viti 2012.
Më pas, ushtria turke filloi spastrimet e sigurisë për mina, pajisje të improvizuara shpërthyese dhe strehimet e terrorisëve për të zhdukur çdo gjurmë të terrorizmit, në mënyrë që banorët të mund të rifillojnë jetën e tyre normale.
- Indoktrinimi i terrorit në librat shkollorë
Ish-selia terroriste përfshinte dhoma takimi, figura dhe simbole në mure të kreut të burgosur të PKK-së, Abdullah Ocalan, duke treguar se YPG/PKK-ja është dega siriane e PKK-së, si dhe materiale të tjera propagandistike të grupit terrorist.
Forcat e sigurisë gjithashtu kryen spastrime bombash në ndërtesë, e cila ishte përdorur nga anëtarët e rangut të lartë të organizatës terroriste.
Në disa pjesë të ndërtesës, ushtria zbuloi eksplozivë të vendosur nga terroristët.
Po ashtu, është gjetur edhe një makinë shtypi, së bashku me libra të shumtë dhe publikime të tjera të organizatës terroriste, duke përfshirë edhe libra propagandistikë për nxënësit e shkollave fillore.
Ushtria turke është duke i vazhduar spastrimet e saj të sigurisë kundër minave dhe strehimoreve terroriste në qendrën e qytetit të Afrinit.
Shtabi i Përgjithshëm turk ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se objektivi i operacionit "Dega e Ullirit" është të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit, si dhe të mbrojë sirianët nga mizoria dhe shtypja terroriste.