Ekip
11 Janar 2017•Përditësim: 11 Janar 2017
ANKARA (AA) - Vazhdojnë përgatitjet për takimin në Astana të Kazakistanit ku opozitarët do të ulen në tryezë me përfaqësuesit e regjimit të Asadit. Takimi do të zhvillohet nën garantimin e Turqisë dhe Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga zyrtarët e Turqisë thuhet se në kuadër të përgatitjeve një delegacion nga Rusia ishte dje i pranishëm në Ankara.
Zyrtarët të cilët janë takuar me delegacionin rus dhe opozitarët sirianë thanë se pas rënies së rasteve të prishjes së marrëveshjes nga regjimi i Asadit kanë nisur të përshpejtojnë përgatitjet për takimin në Astana.
Delegacioni rus ishte i pranishëm në Ankara ditën e djeshme, në kuadër të përgatitjeve për takimin në Astana i cili do të zhvillohet më 23 janar.
Zyrtarët e Ankarasë kanë thënë se i kanë përcjellë delegacionit rus shqetësimet e tyre për shkeljet e armëpushimit të arritur nga regjimi dhe grupet terroriste të jashtme që ndihmohen nga Irani.
Ndërsa sipas informacioneve të marra nga opozitarët sirianë që ndodhen në Ankara thuhet se përfaqësuesit e tyre politikë dhe ushtarakë janë duke vazhduar takimet me zyrtarët e Turqisë dhe ato të Rusisë në kuadër të përgatitjeve për takimin në Astana.
Në këto takime përgatitore opozitarët janë duke formuluar kërkesat e tyre që do të kenë në takim, në mënyrë që takimi të kalojë sa më i frytshëm dhe efektiv.
Ndërkohë ende nuk është e qartë nëse opozitarët do të kenë takime të drejtpërdrejta me regjimin ose do të takohen me ndërmjetës. Ndërsa në rast se do të zhvillohen me ndërmjetës atëherë pritet që vendin e OKB-së ta marrë Turqia dhe Rusia.
Ndërkohë që në takimet për çështjet teknike pritet të marrin pjesë edhe SHBA-ja dhe Irani, Turqia mendon se pjesëmarrja e shumë vendeve në këtë takim nuk do të bëjë gjë tjetër vetëm se do të dobësojë efektet e takimit.