Murat Demirci
02 Dhjetor 2016•Përditësim: 02 Dhjetor 2016
NIKOSIA (AA) - Presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore, Mustafa Akıncı dhe lideri i Qipros Greke, Nikos Anastasiadis, kanë vendosur për vazhdimin e negociatave rreth çështjes së Qipros të cilat u kryen në muajin nëntor në rajonin Mont Pelerin të Zvicrës dhe që nuk prodhuan ndonjë zgjidhje, raporton Anadolu Agency (AA).
Akıncı dhe Anastasiadis, dje në mbrëmje pasi u takuan në një darkë në praninë e këshilltarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Qipron, Espen Barth Eide, kanë shkëmbyer idetë për pikën e arritur në fazën e negociatave dhe se si do të vazhdojnë ato.
Forca paqeruajtëse e OKB-së në Qipro, në një deklaratë me shkrim ka theksuar se liderët janë dakorduar për fillimin e menjëhershëm të negociatave.
"Liderët dhanë udhëzime negociatorëve të tyre për vazhdimin e bisedimeve me qëllim për të siguruar përparime në të gjitha çështjet e pa zgjidhura", thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Gjithashtu në deklaratë theksohet se "Liderët kanë vendosur që të takohen në Gjenevë më 9 janar 2017. Palët më 11 janar 2017 do të paraqesin hartat e tyre. Ndërsa më 12 janar do të mblidhet konferenca ndërkombëtare ku do të marrin pjesë edhe vendet garantuese. Nëse do të vërehet e nevojshme në konferencë do të ftohen edhe palë të tjera të interesuara."
Negociatat për Qipron pas ardhjes në detyrë të Presidentit të Republikës Turke të Qipros Veriore, Mustafa Akıncı, rifilluan më 15 maj 2015 nën kujdesin këshilltarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Qipron, Espen Barth Eide. Palët nga negociatat e mbajtura në muajin nëntor në rajonin Mont Pelerin të Zvicrës nuk arritën në një rezultat konkret për shkak të mos hedhjes së hapave të pritura nga pala e Qipros Greke.