Ahmet Gençtürk
16 tetor 2021•Përditësim: 18 tetor 2021
Vrasja e ligjvënësit britanik David Amess u shpall sulm terrorist sot në orët e hershme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Koordinatori i Lartë Kombëtar Kundër Terrorizmit dhe zëvendëskomisari i policisë së Londrës, Dean Haydon, e shpalli sulmin zyrtarisht terrorizëm, sipas një deklarate nga Policia Metropolitane.
Një 25-vjeçar britanik, i cili u arrestua në vendin e ngjarjes nën dyshimin për vrasje, është në paraburgim në një stacion policie në Essex, shtohet në deklaratë.
Policia tha se sulmuesi besohet të ketë vepruar i vetëm dhe autoritetet aktualisht nuk po kërkojnë askënd tjetër në lidhje me sulmin.
Megjithatë, në deklaratë thuhet se policia po kryen kërkime në dy adresa në zonën e Londrës si pjesë e hetimit.
Amess ndërroi jetë të premten pasi u godit me thikë disa herë gjatë takimit me votuesit në Essex.
Ai kishte qenë deputet që nga viti 1983 për zonat zgjedhore Basildon dhe Southend West.