Talha Yavuz
06 Prill 2021•Përditësim: 06 Prill 2021
Një ushtar ukrainas ka humbur jetën dje si rezultat i zjarrit të hapur nga separatistët pro-rusë në rajonin Donbas në Ukrainën lindore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e bërë nga Forcat e Armatosura të Ukrainës, thuhet se përfaqësuesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) janë informuar për rastin.
Ushtari ukrainas ka humbur jetën në spital pas plagëve të rënda që ka marrë nga separatistet pro-rusë në Avdiyivka të Donbasit.
Tensionet në kufirin Ukrainë-Rusi
Shefi i Shtabit të Ukrainës, Ruslan Khomchak, në një fjalim të mbajtur në parlament më 30 mars tha se Rusia me arsyetimin e stërvitjes ka kryer pozicionime ushtarake në afërsi të kufijve të Ukrainës.
Lidhur me zgjidhjen e krizës në rajonin Donbas, Grupi i Kontaktit Trepalësh i përbërë nga Rusia, Ukraina dhe OSBE-ja mori vendimin për një armëpushim gjithëpërfshirës që nga 27 korriku 2020.
Në konfliktet që vazhdojnë që prej vitit 2014 mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve pro-rusë të cilët kanë shpallur në rajon të ashtuquajturën pavarësi, kanë humbur jetën mbi 13 mijë persona.