Ekip
24 Mars 2022•Përditësim: 24 Mars 2022
Kryeministri i Xhamajkës, Andrew Holness i ka thënë Princit të Britanisë, William dhe gruas së tij Kate se vendi i tij dëshiron të jetë "i pavarur", raporton Anadolu Agency (AA).
William, i dyti në radhën e fronit britanik dhe gruaja e tij janë aktualisht në një turne njëjavore në Karaibe, një udhëtim i ndjekur nga protestat publike që bëjnë thirrje për dëmshpërblime për skllavërinë dhe debatet mbi lidhjet e vazhdueshme të ish-kolonive me Britaninë.
Xhamajka është një mbretëri e Commonwealth me monarken britanike Elizabeth II si mbretëreshë.
Barbados, një tjetër ish-koloni britanike e Karaibeve, e hoqi mbretëreshën si kreun e shtetit nëntorin e kaluar dhe u bë republikë.
"Ka çështje këtu të cilat, siç e dini, janë të pazgjidhura", i tha Holness William dhe Kate gjatë një sesioni fotografik të mërkurën.
"Por, Xhamajka është siç do të shihni një vend që është shumë krenar dhe ne po ecim përpara", tha ai.
“Ne synojmë të përmbushim ambicien tonë të vërtetë për të qenë një vend i pavarur, plotësisht i zhvilluar dhe i begattë", tha Holness.
Në një ngjarje të veçantë ku morën pjesë Holness dhe zyrtarë të tjerë, William shprehu "dhimbjen e tij të thellë" për skllavërinë, duke thënë se ajo nuk duhet të kishte ekzistuar kurrë, por nuk kërkoi falje.
William tha se ishte dakord me komentin e babait të tij Princit Charles se "mizoria e tmerrshme e skllavërisë njollosë përgjithmonë historinë tonë".